Një artiste e lindur në Kosovë, Albana Ejupi, vazhdon të eksperimentojë guximshëm me dimensionet artistike, përmes surealizmit, duke kërkuar të kuptojë se çfarë do të thotë të jesh njeri, gjë që e bën veprën e saj artistike të dallueshme.
Trupi i gruas është subjekti i punës së saj, dhe fuqizimi merr një rol më të theksuar në shprehjen artistike të Albanës. Në ekspozitën e saj të re në Lukas Feichtner Galerie në Vjenë, ajo prezantoi veprëat e saj më të fundit artistike, duke shfaqur skulptura së bashku me pikturat e saj dy-dimensionale.
“Skulptura është një qasje e re. Ajo ka qenë gjithmonë e pranishme për mua, por tani u është paraqitur publikut në një format tjetër. Ata tani mund të shohin nga afër dhe në një formë tjetër, modelet që unë fotografoj me kamerën time në studio,” thotë artistja.
Foto: Në ekspozitën “In Between” të Albana Ejupit në Lukas Feichtner Galerie, në Vjenë
Kalimi nga piktura në skulpturë ishte sfidues për të, por plotësoi atë që mungonte në veprën e saj artistike. Për të arritur formën e imagjuar, asaj iu deshën më shumë se gjysmë viti kohë. “Qëllimi ishte të kem të njëjtin stil si trupat që mbushen me rërë në kanavacë,” thotë Ejupi.
Veprat e saj artistike përcjellin një mesazh të fuqishëm mbi feminzmin.
“Mendoj se veprat e saj janë një deklaratë e qartë autonome dhe feministe. Këtu, ne shohim një fushëbetejë trupash femërore që po pushtojnë mediat, të cilat janë kryesisht të dominuara nga burrat,” thotë Dr. Felicitas Thun-Hohenstein, profesoreshë e Artit në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, e cila gjithashtu mbikëqyr projektin e doktoraturës së Albana Ejupit.
Subjekti i veprës së saj artistike ngjalli interes dhe gjeti hapësirë edhe në ekspozitën e Erste Private Bank, që synon të bashkëpunojë me të rinjtë për të krijuar një botë më të mirë. “Prekja e temës së feminzmit nga ajo, është e domosdoshme për artin. Ne kemi mjaft burra në këtë biznes, andaj duam të mbështesim artistet gra,”tha z. Werner Karl Steiber, nga Erste Bank.
“Përgjatë viteve, Albana solli më shumë forcë dhe energji në punën e saj. Në këtë ekspozitë, mund të shihni shumë ngjyra të guximshme, plot energji, dhe në një mënyrë të definuar me një harmoni që del prej veprave të saj,” thotë mikja dhe kolegeja e saj Claudia Tomassetti, e cila e ka ndjekur punën e saj që kur Albana u zhvendos në Vjenë për studimet e saj Master tetë vite më parë.
Ajo punon me beton, gurë dhe rërë. “Është e jashtëzakonshme mënyra se si ajo kombinon gjurmët materiale me praktikën e saj artistike, në mënyrë shumë të qartë, duke e bërë veprën e saj unike. Kjo edhe është mënyra e saj e artikulimit,” thotë Profesoresha Thun-Hohenstein.
Një tjetër gjë që e bën veprën e Albanës të veçantë është fakti që rëra që ajo përdor vjen gjithmonë nga Kosova, vendlindja e saj, dhe kjo për një arsye të veçantë: “Dua ta përfshij trashëgiminë time dhe ta bëj pjesë të shprehjes sime kulturore, kështu dhe ndihem shumë më afër vendit tim. Puna ime përfshin identitete. Kjo është pjesë e asaj që jam, dhe vepra ime pasqyron veten time,” thotë artistja.
Babai i saj, Idriz Ejupi, është një nga mbështetësit e saj më të mëdhenj dhe gjithashtu kujdeset për të lehtësuar transportin e rërës nga Kosova për pikturat e Albanës, gjë që e bën atë të ndihet më afër veprës së saj artistike. Duke qenë prezent në hapjen e ekspozitës së saj në Vjenë, ai shfaq krenari në fytyrë. “Kënaqësia dhe arritja ime më e madhe është kur vajza ime e vetme ngrihet në karrierën e saj profesionale. Nuk kam hezituar në asnjë formë për ta mbështetur, dhe kjo më është shpërblyer,” thotë z. Ejupi.
Veprat e saj artistike vazhdojnë të mahnitin koleksionistët e artit. Në mesin e tyre është gazetari Robert Wiesner, i cili posedon shumë nga pikturat e Albanës. “Është e pabesueshme se sa krreative është në mënyrën se si shprehet, duke kombinuar trashëgiminë e saj me studimet në Vjenë. Është e mahnitshme sa e fuqishme është kjo grua,” thotë Wiesner. Duke parë potencialin e saj të madh, ai shpreh drojën se një ditë ajo mund të largohet nga Vjena përfundimisht. “Do të ishte tipike për ate, të konsideronte vende të tjera, të cilat janë edhe më me peshë se Vjena. Kam frikë se do ta humbim në kontinente të tjera,” thotë ai.
Ndërkohë që Albana nuk zbulon ndonjë plan për t’u larguar nga Vjena, por ajo konfirmon se ekspozita e saj do të udhëtojë drejt Azisë. Në nëntor, vepra e saj artistike do të ekspozohet në Hong Kong, në panaririn e artit the Art Austria Highlights Hong Kong, duke shënuar paraqitjen e saj të parë në Azi. Para kësaj, ajo do të vizitojë Düsseldorfin në Gjermani, për të shfaqur punën e saj në galerinë e artit Burkhard Eikelmann Galerie.Ndërsa në Vjenë, ekspozita, e cila u hap më 10 shtator, do të qëndrojë e hapur deri më 18 tetor 2025, në Lukas Feichtner Galerie.
“Artikulli është marrë nga platforma e diasporës “Hajde” me seli në Vienë, Austri./Katror.info