Kanë kaluar 125 vjet që kur Wuppertaler Schwebebahn, hekurudha më e vjetër e varur në botë, nisi udhëtimin e saj të parë. Sot, kjo mrekulli inxhinierike vazhdon të mahnisë vizitorët në këtë qytet të Rhineland-it, duke mbetur njëkohësisht pjesë e përditshme e jetës së banorëve lokalë.
Episodi më i njohur dhe më i çuditshëm i kësaj hekurudhe ndodhi 75 vite më parë, kur një elefant i quajtur Tuffi, pjesë e një cirku, u ngjit në një nga vagonët për të tërhequr vëmendje publike.
Kur treni nisi lëvizjen, kafsha u frikësua, theu një dritare dhe ra nga një lartësi prej 12 metrash në lumin Wupper. Për fat të mirë, Tuffi mbijetoi pa asnjë lëndim.
Sot, historia e saj është bërë pjesë e kulturës lokale: nga lodrat prej pelushi, tek murale dhe madje edhe një markë qumështi që mban emrin e saj.
Udhëtimi me Schwebebahn është një përvojë e veçantë. Vagonët varen nën hekurudhë si anije që lundrojnë në ajër, duke ofruar pamje të pazakonta të qytetit, lumenjve dhe kopshteve private. Qyteti i Wuppertal, edhe pse nuk ka shumë atraksione gjigante turistike, ofron një kombinim të gjelbërimit, muzeve dhe atmosferës së qetë, ndërsa ky tren i varur mbetet magneti kryesor.
Koncepti i hekurudhës së varur i përket anglezit Henry Robinson Palmer, që patentoi një sistem tërhequr nga kuajt në vitin 1821. Por ishte inxhinieri gjerman Eugen Langen ai që e bëri realitet në fillim të shekullit XX. Ndryshe nga Berlini e Hamburgu, të cilët zgjodhën metrotë tradicionale, Wuppertali ndërtoi këtë mrekulli teknologjike mbi lumin Wupper.
Sot, trenat modernë arrijnë shpejtësi deri në 60 km/h, por atmosfera mbetet nostalgjike. Shumë stacione ruajnë elementë të epokës së artë me platforma prej druri dhe fotografi të udhëtarëve të fillimshekullit XX. 80 mijë njerëz e përdorin çdo ditë për të udhëtuar, duke e bërë pjesë thelbësore të infrastrukturës së qytetit.
Përveç udhëtimit me trenin e varur, vizitorët mund të shijojnë edhe atraksione të tjera të qytetit si Stadthalle, një sallë koncertesh e inauguruar në të njëjtin vit me Schwebebahn, apo shëtitjet nëpër lagje të mbushura me art urban. Për entuziastët e trenave, vendi më i lakmuar është sedilja e pasme, nga ku pamjet e qytetit janë të pakrahasueshme.
Darka nën hijen e trenave, si tek restoranti 60 Seconds to Napoli, ku vagonët kalojnë mbi tryezat e hapura, e bën përvojën edhe më të paharrueshme. /AP/Katror.info