Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur të hënën një konferencë për media në prag të dy ndeshjeve të rëndësishme të tetorit, që zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Kosova më 10 tetor pret Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa më 13 tetor do të luajë në udhëtim kundër Suedisë.
Foda shprehu optimizëm dhe theksoi rëndësinë e këtyre sfidave për rrugën drejt Botërorit.
“Do të jenë dy ndeshje të vështira, jo të lehta. Duke qenë se kemi fituar ndaj Suedisë më parë, besoj se mund të fitojmë edhe ndaj këtyre kundërshtarëve”, tha ai.
Trajneri gjerman e konsideron Slloveninë një kundërshtar të fortë.
“Sllovenia është një skuadër shumë e vështirë dhe duhet të përgatitemi mirë këto ditë për të arritur fitore. Në shtëpi kemi gjasa të mira pasi kemi një publik të madh që na mbështet dhe shpresojmë të marrim rezultate pozitive”, theksoi Foda.
Ai e pranon se ndeshja me Zvicrën nuk ka shkuar sipas planit, por ndryshimet e bëra për sfidën kundër Suedisë dhanë rezultat.
“Loja kundër Zvicrës, sidomos në mbrojtje, nuk shkoi ashtu si e kishim planifikuar. Por pas analizës bëmë ndryshime dhe kundër Suedisë u shfaqëm si një ekip i fortë dhe luajtëm shumë mirë”, pohoi Foda.
Ai foli edhe për rikthimin e Edon Zhegrovës në ekip pas mungesës në ndeshjet e shtatorit.
“Tani është e rëndësishme që Edoni është gati dhe në dispozicion të luajë për Kosovën. Forma e lojtarëve të tjerë do të vlerësohet dhe më pas do të vendos për formacionin startues.”
Foda theksoi se fokusin e ka te e ardhmja.
“Futbolli nuk luhet në të kaluarën, por për të ardhmen. Kundër Suedisë morëm tri pikë dhe tani pres nga lojtarët që edhe kundër Sllovenisë të japin më të mirën”, përfundoi strategu gjerman. /RTK/Katror.info