Mbani sytë nga horizonti të hënën në mbrëmje, pasi tetori sjell superhënën e parë të këtij viti, të njohur si “Hëna e Korrjeve” (Harvest Moon). Ajo do të arrijë pikën e saj më të plotë rreth orës 23:48 të hënën (me kohën ET) dhe do të jetë e dukshme edhe të martën në mëngjes, sipas EarthSky, shkruan CNN, transmeton Katror.info.
Emri “Hëna e Korrjeve” i referohet hënës së plotë që ndodh më afër ekuinoksit të vjeshtës, ose ditës së parë të vjeshtës. Historikisht, drita e fortë e kësaj hëne u ka ndihmuar fermerëve të përfundonin korrjet e tyre për vitin, sipas The Old Farmer’s Almanac.
Kjo është e para nga tri superhëna radhazi që do të ndodhin këtë vit. Superhëna ndodh kur hëna është më afër Tokës, duke u dukur më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht.
Sipas Noah Petro, shkencëtar në misionin NASA Artemis III, që synon të dërgojë astronautë pranë polit jugor të hënës në vitin 2027, kjo superhënë është edhe më e veçantë sepse vjen vetëm pak muaj para nisjes së misionit Artemis II, i cili do të dërgojë katër astronautë në orbitën e hënës në fillim të vitit të ardhshëm.
Burimi: CNN
Përktheu dhe përshtati: Katror.info