Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka shpallur fituesit e Çmimit Nobel në Fizikë për vitin 2025: John Clarke, Michel H. Devoret dhe John M. Martinis.
Treshja u nderua “për zbulimin e tunelimit kuantik makroskopik dhe kuantizimit të energjisë në një qark elektrik”, një arritje që ka hapur rrugën për zhvillimet më të fundit në fizikën kuantike të aplikueshme dhe teknologjinë e kompjuterëve kuantikë.
Zbulimi i tyre shënoi një kthesë historike në kuptimin e mënyrës se si fenomenet kuantike – të cilat tradicionalisht shfaqen në shkallë mikroskopike – mund të manifestohen në sisteme të përmasave të mëdha, si qarku elektrik.
Kjo punë është bazë për zhvillimin e qubiteve superpërcjellëse, që sot janë thelbi i kompjuterëve kuantikë eksperimentalë të përdorur nga qendra si Google, IBM dhe institucionet kërkimore në mbarë botën.
Fituesit e këtij viti kanë punuar për dekada në studimin e efekteve kuantike në sisteme makroskopike, duke demonstruar për herë të parë se tunelimi kuantik – kalimi i grimcave përmes pengesave energjitike – mund të ndodhë edhe në qark elektrik të përmasave të matshme laboratorikisht.
Ky Nobel konsiderohet një njohje madhore për bazat teorike dhe eksperimentale të teknologjisë kuantike, që po transformon mënyrën si konceptohet përpunimi i informacionit.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të zhvillohet më 10 dhjetor 2025 në Stokholm, në përvjetorin e ndarjes së parë të Çmimeve Nobel, dhe secili prej fituesve do të ndajë një shpërblim prej 11 milionë kronash suedeze (rreth 950 mijë euro)./Albanian Post/Katror.info