Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Drejtor i Përfaqësuesve, Adriatik Rraci, është përzgjedhur të marrë pjesë në programin prestigjioz “FIBA Academy Strategic Leaders”, që organizohet për herë të parë nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA).
Rraci është një nga 30 pjesëmarrësit e përzgjedhur nga më shumë se 50 kandidatë nga e gjithë bota, duke e bërë këtë një arritje të rëndësishme si për të personalisht, ashtu edhe për basketbollin kosovar.
Programi, i pari i këtij lloji, është dizajnuar për liderë aktualë dhe në zhvillim në fushën e sportit – drejtues të federatave, ligave dhe klubeve të basketbollit, si dhe ish-lojtarë që synojnë të zhvillojnë aftësi të avancuara në menaxhimin strategjik, lidershipin dhe tranzicionin e karrierës sportive.
Ky sukses përbën një moment historik për Federatën e Basketbollit të Kosovës, duke e pozicionuar vendin në hartën ndërkombëtare të sportit dhe duke reflektuar profesionalizmin dhe përkushtimin në zhvillimin e basketbollit. Për më tepër, pjesëmarrja e Rracit në këtë program pritet të sjellë njohuri të reja në lidership strategjik, organizim eventesh dhe zhvillim të kapaciteteve, që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përparimin e basketbollit në Kosovë./Katror.info