Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel, duke apeluar për një proces të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Në një deklaratë të publikuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasadori Orav u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, pavarësisht përkatësisë etnike apo preferencave politike, që të marrin pjesë në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
“Çdo votë ka rëndësi dhe kontribuon në forcimin e Kosovës si një vend demokratik, dinamik dhe multietnik,” theksoi ai.
Orav shtoi se respektimi i vullnetit të votuesve dhe zbatimi i rezultateve janë thelbësore për legjitimitetin e procesit demokratik. “Këto zgjedhje lokale janë një provë për demokracinë e Kosovës. Kalimi me sukses i kësaj prove i hap Kosovës mundësi të reja,” deklaroi ai.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen këtë të diel në të gjitha komunat e vendit./Katror.info