Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar të mërkurën presidentin e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino me medalje nderi për kontributin e tij në avancimin e rrugës së futbollistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Prishtinë, Osmani ka thënë se loja e futbollit e ka mbajtur të gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.
“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”.
Përgjatë ceremonisë, Osmani e ka përmendur edhe punën e madhe që ka bërë ish-futbollisti i ndjerë, Fadil Vokrri për të avancuar rrugën e futbollit të lojtarëve kosovarë në skenat botërore në kapacitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Gianni Infantino po e viziton Kosovën për herë të dytë, pas vizitës së tij të parë në shtator 2022, kur ishte takuar me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Kosova u pranua në FIFA vetëm pak muaj pasi Infantino u zgjodh për herë të parë president i saj, në fillim të vitit 2016.
Prej pranimit në organin qeverisës së futbollit botëror, Federata e Futbollit e Kosovës pranon ndihmë financiare prej saj çdo vit përmes programeve për ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të grave, akademitë e të rinjve dhe ngritjen e standardeve profesionale.
Nëntë vjet pas pranimit në FIFA, Kosova është ende në kërkim të kualifikimit për një garë të madhe ndërkombëtare, siç është Kupa e Botës apo Kampionati Evropian.
Ajo tani po lufton për një vend në Kupën e Botës 2026 – që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe do të përballet me Slloveninë në kualifikime të premten, dy ditë pas vizitës së Infantinos.
Kosova është në vendin e dytë në Grupin B kualifikues me tre pikë pas dy ndeshjeve, prapa lideres, Zvicrës, që i ka gjashtë.
Suedia dhe Sllovenia janë në dy vendet e fundit me nga një pikë secila.
Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin 2026, ndërsa vendi i dytë luan në play-off./REL/Katror.info