Shqipëria është gati për “ndeshjen më të rëndësishme” të kampanjës kualifikuese për Botërorin 2026.
Kështu kanë thënë përzgjedhësi Sylvinho dhe mbrojtësi Elseid Hysaj para ndeshje me Serbinë.
Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet të shtunën nga ora 20:45 në stadiumin “Duboçica” në Leskovc dhe i takon Grupit K.
Përfaqësuesja që e fiton këtë ndeshje vlerësohet se do të bëj hap të madh drejt plejofit të Botërorit, që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Anglia thuajse e ka të sigurt vendin e parë pasi prin me 15 pikë nga pesë ndeshje. Shqipëria, e dyta, ka tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa një pikë e një ndeshje më pak i ka Serbia në vendin e tretë.
Letonia ka katër pikë e Andorra është pa pikë.
Kuqezinjtë të premten kanë udhëtuar nga Tirana për në Nish, kurse pasdite mbajtën stërvitje në stadiumin në Leskovc.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Por sot po, është absolutisht ndeshja më e rëndësishme. Një muaj më parë ishte ndeshja ndaj Letonisë, por nëse nuk do të kishim fituar aty, nuk do të kishte kuptim kjo ndeshje. Por fituam dhe tani luajmë një ndeshje tjetër shumë të rëndësishme. Nëse do të fitojmë, do të jetë ndaj Andorrës ndeshja më e rëndësishme në vazhdim. Kjo është ndeshje emblematike dhe kjo është e bukura e kësaj ndeshjeje. Janë duele të ndryshme. Siç e pamë edhe në Tiranë, dihet që ka atmosferë. Por, besoj se do të jetë një ndeshje e bukur”, ka deklaruar Sylvinho në konferencën për shtyp.
Tekniku brazilian ka thënë se prej ditës së grumbullimit ekipi ka stërvitur mirë, se janë bërë shumë analiza dhe janë munduar t’i korrigjojnë gabimet e bëra. Ka folur me kujdes kur u pyet se kush është favorit.
“Futbolli është i paparashikueshëm. Nuk mund të vësh bast dhe të thuash se do ta fitojmë këtë ndeshje. Kam bërë një karrierë 15-16-vjeçare si lojtar, me modesti e them në një nivel goxha të lartë. Kam qenë zëvendëstrajner edhe te një ekip. Kam përjetuar eksperiencën e botërorit dhe nuk kam parë asnjë rast një ndeshje e cila mund të quhej e fituar nga ndonjë skuadër. Kundërshtari është i fortë, ka lojtarë të mirë individualisht të cilët luajnë në nivele të larta. E kemi parë edhe nga ndeshja në Tiranë që niveli ishte aty-aty. Jemi rritur shumë edhe nga eksperienca në Evropian. Në futboll ndodh çdo gjë për 90 minuta. Besoj se të gjithë lojtarët e mi do të futen në fushë me zemër dhe me shpirt”, shtoi braziliani.
Pavarësisht respektit që tregoi për kundërshtarin, Sylvinho e përmendi se ndeshja me Serbinë është emocionale për lojtarët dhe kjo mund të shërbejë si motivim shtesë.
“Mund të shërbejë si motivim ekstra. E rëndësishme është që jemi këtu në këto momente dhe ishte shumë e rëndësishme që fituam ndaj Letonisë, që na solli këtu. Kush fiton nesër, sigurisht se i rritet përqindja për të shkuar para dhe bën hap para për të shkuar drejt plejofit. Jemi të qetë, jemi duke punuar dhe besoj se do të jetë ndeshje e bukur”, tha Sylvinho.
Elseid Hysaj të shtunën mund të barazohet me Lorik Canën për më së shumti paraqitje te Shqipëria.
Cana ka 92 paraqitje për “kuqezinjtë”.
“Të them të drejtën është kënaqësi dhe nder ta arrijë rekordin e Lorik Canës. Mendoj gjithmonë për ndeshjen, për Kombëtaren. Nuk është një objektiv që mund ta ndryshojë synimin që e kemi si Kombëtare. Besoj se jam për skuadrën pastaj të shohim gjërat e tjera prapa”, deklaroi Hysaj, shkruan Koha.net.
Ai ka thënë se të gjithë lojtarët ndihen njësoj dhe ka shtuar se në Leskovc janë vetëm për fitore.
“Ne kemi ardhur për fitore, nuk kemi ardhur për barazim apo humbje. Si thash më herët, duhet të jemi të koncentruar. Ndoshta nuk dalin as 100 për qind. Duhet të jemi 120 për qind, sepse është ndeshje delikate dhe e fortë. Mund të jetë finale për ne dhe për ata. Jemi në të njëjtin pozicion”, tha mbrojtësi i Lazios.
Edhe Hysaj, njësoj si Sylvinho, theksoi se te Serbia ka lojtarë shumë të mirë individualisht dhe të fortë fizikisht.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt mes Serbisë e Shqipërisë. Në Tiranë në qershor, ballafaqimi u mbyll pa gola.
Në Beograd më 14 tetor 2014, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte ndërprerë, për shkak të sulmit të rëndë fizik ndaj lojtarëve të Shqipërisë nga lojtarët, huliganët dhe pjesëtarët serbë të sigurimit.
Incidentit të rëndë i parapriu shfaqja me dron e flamurit që mbante mbishkrimin “Autochthonous”, me imazhet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Shqipëria më pas e fitoi atë ndeshje me rezultat zyrtar.
Më 8 tetor të vitit 2015, Shqipëria ishte mposhtur 2:0 në Elbasan. Por, Shqipëria e siguroi paraqitjen në Evropianin 2016, që u organizua në Francë.
Tani synon të kualifikohet për herë të parë në Botëror./Katror.info