Tre akademikë nga të dy anët e Atlantikut do të ndajnë Çmimin Nobel në Ekonomi 2025 për punën e tyre mbi rolin e inovacionit në gjenerimin e rritjes ekonomike.
Joel Mokyr nga Universiteti Northwestern, Philippe Aghion nga London School of Economics dhe INSEAD në Paris, si dhe Peter Howitt nga Universiteti Brown, po vlerësohen “për teorinë e rritjes së qëndrueshme përmes shkatërrimit krijues”, tha sot në një deklaratë Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në Stokholm, përcjell TAR.
“Jam ende pa fjalë,” u shpreh Aghion në një reagim të parë përmes telefonit gjatë konferencës për shtyp, pasi u njoftua për çmimin. Mokyr do të marrë gjysmën e çmimit prej 11 milion koronash suedeze (rreth 1.2 milion dollarë amerikanë), ndërsa Aghion dhe Howitt ndajnë pjesën tjetër.
I dhënë në fund, plotëson serinë e çmimeve vjetore për arritje në Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi dhe Paqe, të krijuara me testamentin e Alfred Nobelit, shpikësit suedez të dinamitit, i cili mbylli sytë në vitin 1896.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha tre ekonomistëve: Daron Acemoglu, Simon Johnson e James A. Robinson, për kërkimet e tyre mbi arsyet pse disa vende janë të pasura e të tjera të varfra, duke treguar se shoqëritë më të lira e më të hapura kanë më shumë gjasa të zhvillohen.
Ky çmim njihet zyrtarisht si “Çmimi i Bankës së Suedisë për Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit”. Ai u themelua në vitin 1968 nga banka qendrore suedeze, si një homazh për Alfred Nobel-in, biznesmenin dhe kimistin e shekullit XIX që shpiku dinamitin e krijoi pesë çmimet origjinale Nobel.
Që prej asaj kohe, çmimi është dhënë 56 herë dhe ka shpërblyer gjithsej 96 laureatë. Vetëm tre prej tyre kanë qenë gra. /Katror.info