Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrësive në Kosovë (KIESA), po merr pjesë në Forumin e Investimeve EU–WB6, që po zhvillohet më 13–14 tetor në Tiranë.
Ky forum mbledh përfaqësues të Bashkimit Evropian, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe investitorë ndërkombëtarë, duke krijuar një platformë të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik dhe promovim të mundësive të reja investuese në rajon.
Në kuadër të forumit, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj, nënshkroi një Letër Qëllimi me përfaqësuesen e Komisionit Evropian (DG ENEST) dhe përfaqësuesen e kompanisë 3CIS. Marrëveshja parasheh vullnetin e ndërsjellë për një investim të mundshëm në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), për ndërtimin e një qendre të të dhënave në Kosovë.
Kjo nismë synon forcimin e infrastrukturës digjitale në rajon dhe përkon me objektivat e strategjisë “Global Gateway”, Dekadës Digjitale 2030 dhe Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë ditës së parë të forumit, Dedaj zhvilloi takime rrjetëzimi me përfaqësues të agjencive evropiane dhe rajonale të promovimit të investimeve, duke diskutuar për krijimin e partneriteteve të reja dhe aktivitete të përbashkëta për zhvillimin ekonomik. Ai prezantoi gjithashtu prioritetet e KIESA-s, sektorët me potencial të lartë ekonomik dhe projektet që synojnë tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kosovës.
Aktivitetet e forumit do të vazhdojnë edhe më 14 tetor, me panele sektoriale mbi prodhimin, energjinë, teknologjinë digjitale, bioekonominë, turizmin dhe ekonominë qarkulluese, si dhe me takime B2B (biznes me biznes) dhe B2G (biznes me qeveri), që synojnë thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian./Katror.info