Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, është shprehur jashtëzakonisht i lumtur pas fitores historike të “Dardanëve” ndaj Suedisë, me rezultat 1-0 në Gothenburg, një fitore që e afron edhe më shumë Kosovën drejt Kupës së Botës 2026.
Autori i golit vendimtar ka folur për emocionet e mëdha pas ndeshjes, duke theksuar se kjo fitore i takon të gjithë shqiptarëve.
“Këtë fitore ia dedikoj të gjithë shqiptarëve kudo në botë! Besoj se është një ditë e madhe për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët. Është fitore shumë e rëndësishme dhe jam i bindur se i kemi bërë krenarë krejt shqiptarët”, ka thënë Asllani për faqen zyrtare të FFK-së.
Asllani, i cili realizoi golin e tij të parë zyrtar për Kosovën, u shpreh i emocionuar për këtë moment të veçantë.
“E papërshkueshme ndjesia e golit. Ka qenë goli im i parë për Kosovën, por një gol shumë i rëndësishëm, sepse është gol për gjithë shqiptarët”.
Sulmuesi i talentuar shtoi se Kosova do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim edhe në ndeshjet e ardhshme.
“Duhet të japim maksimumin në dy ndeshjet e nëntorit dhe të mundohemi t’i fitojmë edhe ato për të marrë sa më shumë pikë”, theksoi Asllani.
Një mbrëmje e paharrueshme për Kosovën dhe për gjithë kombin shqiptar, që feston bashkë me “Dardanët” këtë sukses të madh në arenën ndërkombëtare. /RTK/Katror.info