Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar raportin e monitorimit të ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale (OSHMA), që kanë mbuluar fushatën e Zgjedhjeve Lokale 2025. Monitorimi kishte për qëllim vlerësimin e performancës së mediave në pajtim me nenin VIII “Mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve” të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me Rregulloren KPM-2024/03 për obligimet e mediave gjatë fushatës zgjedhore.
Procesi i monitorimit është zhvilluar gjatë gjithë periudhës së fushatës, nga 13 shtatori deri më 12 tetor 2025, duke përfshirë mediat me mbulim nacional, regjional e lokal, si dhe ato që transmetojnë përmes operatorëve të shpërndarjes. Janë analizuar përmbajtjet e transmetuara nga ora 12:00 deri në 24:00, duke u bazuar në parimet e paanshmërisë, mbrojtjes së fëmijëve dhe respektimit të komunikimeve komerciale audiovizuele.
Sipas KPM-së, gjatë monitorimit janë konstatuar disa shkelje, si: mosidentifikim i reklamave politike, përdorimi i gjuhës fyese dhe nxitëse, përfshirje e fëmijëve në spote politike, mosrespektim i heshtjes zgjedhore, sponsorizim i paautorizuar i emisioneve politike, publikimi i sondazheve pa përmbushur kriteret dhe nxitje e urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare.
Në fund të raportit janë listuar konkluzione të shkurta, të cilat do të rishikohen në hartimin e raportit final.
Në konkluzione, KPM thekson se përmes Zyrës Ekzekutive ka përmbushur mandatin e saj për monitorim dhe reagim ndaj shkeljeve, megjithëse një pjesë e mediave nuk kanë arritur të sigurojnë trajtim të barabartë për subjektet politike.
Këtu mund të gjeni Raportin preliminar e monitorimit të mediave gjatë fushatës së zgjedhjeve të lokale 2025. /Katror.info