Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në kuadër të panairit ndërkombëtar të mbrojtjes “AUSA 2025”, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me drejtorin e Agjencisë për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri të Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Michael F. Miller.
Në takim morën pjesë edhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, atasheu i mbrojtjes i Republikës së Kosovës në SHBA, Sylejman Cakaj, si dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro–Atlantike, kolonel Ahmet Ajeti.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në prokurimin e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit përmes mekanizmit FMS (Foreign Military Sales), që mundëson blerje “shtet me shtet” me SHBA-në, me kosto më të ulët dhe cilësi të lartë.
Palët diskutuan gjithashtu për projektet e ardhshme të prokurimit dhe për ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës.
Drejtori Miller, ka përgëzuar Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA), duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, thuhet në njoftim. /Katror.info