Filmi i gjatë artistik “Odiseja e Gëzimit”, me skenar dhe regji të Zgjim Terziqit, do ta ketë premierën botërore në një nga festivalet më prestigjioze ndërkombëtare Cairo International Film Festival, që është pjesë e 15 festivaleve të kategorisë “A”, të akredituara nga Federation of Film Producers Associations.
Edicioni i 46-të i këtij festivali do të mbahet nga 12 deri më 21 nëntor 2025, duke mbledhur kineastë nga e gjithë bota.
Ngjarja e filmit zhvillohet në fillim të mijëvjeçarit të ri dhe ndjek historinë prekëse të Lisit, një djalë 12-vjeçar, babai i të cilit është person i zhdukur nga lufta e Kosovës. I ndarë mes dhimbjes dhe shpresës, Lisi i bashkohet një trupe cirku të huaj që udhëton për të sjellë gëzim e dritë fëmijëve të një vendi të shkatërruar nga lufta.
Në rolet kryesore të filmit luajnë: Diar Sadiku, Lucie Fagedet, Frédéric Radepont, Iñaki Lartigue, Tristan Halilaj, Njomëza Fetiu, Meli Qena, Dukë Sllamniku, Edon Rizvanolli, Eli Gashi, Bajram Kafu Kinolli, Milot Hoxha dhe aktorë të tjerë të njohur të skenës kosovare dhe ndërkombëtare.
“Odiseja e Gëzimit” është një bashkëprodhim Kosovë–Francë, prodhim i Plan Bee Films, në bashkëprodhim me Mon Ballon Production.
Ky sukses shënon një tjetër arritje të rëndësishme për kinematografinë kosovare, duke e vendosur atë në skenën e madhe të filmit botëror./KultPlus/Katror.info