Sipas të dhënave nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), deri në orën 10:00 të ditës së sotme, të enjten, është përmbyllur verifikimi i rezultateve për 1,531 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për 1,494 vendvotime nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Po ashtu, nga po kaq vendvotime (1,494) janë numëruar edhe votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale. Në total, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,025 deri në këtë fazë.
Sipas KQZ-së, deri më tani aktivitetet në QKN janë përmbyllur plotësisht në 13 komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog dhe Skenderaj.
Në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen tre aktivitete kryesore:
- verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë komunash;
- verifikimi i rezultateve të subjekteve politike për kuvendet komunale; dhe
- numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.
Rezultatet e përditësuara mund të ndiqen në kohë reale përmes platformës zyrtare të KQZ-së: https://resultslocal2025.kqz-ks.org/
/Katror.info