Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ilir Muçaj, gjatë një takimi me delegacionin belg të kryesuar nga drejtoresha e përgjithshme për bashkëpunimin dypalësh, Birgit Stevens, ka kërkuar mundësinë e zhvillimit të një agjende të përbashkët në fushën e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate nga MPJD.
“Në këtë frymë bashkëpunimi, u zhvilluan konsultimet politike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, forcimin e mëtejshëm të tyre, si dhe mundësitë për zhvillimin e një agjende të përbashkët në fushën e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë për media.
Muçaj ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e palëkundur që Mbretëria e Belgjikës ka ofruar për Kosovën në të gjitha fazat e konsolidimit të saj.
“Të dyja palët ritheksuan rëndësinë e mbajtjes së këtyre konsultimeve politike si një mekanizëm thelbësor për thellimin e bashkëpunimit dhe për identifikimin e mundësive që kontribuojnë në koordinimin në çështje me interes të përbashkët, përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”.
Në njoftim thuhet se konsultimet politike mes Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës dëshmojnë për partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve, të cilat vazhdojnë të forcohen përmes dialogut të hapur dhe bashkëpunimin konkret në fusha me interes të përbashkët./AP/Katror.info









