Pavarësisht diskutimeve të shumta mbi rrezikun që Inteligjenca Artificiale (AI) të zëvendësojë njerëzit në tregun e punës, një studim i ri tregon se teknologjia është ende shumë prapa.
Kompania Scale AI në bashkëpunim me Center for AI Safety (CAIS) vuri në provë disa modele të njohura të Inteligjencës Artificiale, duke u kërkuar atyre të realizonin detyrat reale, nga dizajni i produkteve dhe zhvillimi i lojërave, deri te analiza e të dhënave dhe shkrimi shkencor.
Rezultatet ishin zhgënjyese. Modeli Manus arriti rezultatin më të mirë, por vetëm 2.5% e detyrave të tij u vlerësuan si “punë e pranueshme” nga një klient i arsyeshëm, sipas një paneli prej 40 gjyqtarësh. Gemini 2.5 Pro doli i fundit, me vetëm 0.8% të punëve që plotësonin pritshmëritë.
Studiuesit theksojnë se megjithëse modelet e AI po përmirësohen në testet standarde, ato ende nuk arrijnë të përmbushin cilësinë që kërkon tregu real i punës.
Sipas Dan Hendrycks, drejtor i CAIS dhe këshilltar i kompanisë xAI të Elon Musk, kombinimi i punës njerëzore me AI-në është aktualisht më efikas, por në të ardhmen “si në shah, ndoshta do të jetë më efektive të përdoren vetëm AI-të”.
Megjithatë, një tjetër studim nga BetterUp dhe Stanford University’s Social Media Lab tregon se përdorimi i AI-së në vende pune shpesh ngadalëson produktivitetin.
Nga një sondazh me 1,150 punonjës amerikanë, 40% thanë se kishin marrë gjatë muajit të fundit “workslop” – pra punë me cilësi të ulët, të krijuar nga AI – që ata ose kolegët e tyre u detyruan ta ripunonin. Sipas vlerësimeve, në një organizatë me 10 mijë punonjës, kjo përkthehet në rreth 9 milionë dollarë humbje produktiviteti në vit.
Rezultatet tregojnë se, të paktën për tani, inteligjenca artificiale ka nevojë për njerëzit po aq sa njerëzit për të./KultPlus/Katror.info
















