Për herë të parë në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ka nisur punën Shërbimi/Laboratori i Toksikologjisë, i funksionalizuar më 20 tetor 2025 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ky shërbim përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteve diagnostike dhe laboratorike të QKUK-së, duke shënuar fillimin e fazës operative të analizave toksikologjike në vend.
Që nga funksionalizimi, Laboratori i Toksikologjisë ka zhvilluar me sukses aktivitetet e para diagnostike dhe monitoruese, duke validuar 9 parametra analitikë dhe duke përcaktuar gjithsej 86 parametra që mbulojnë monitorimin terapeutik të barnave (TDM) dhe detektimin e substancave abuzive (DOA).
Pacientët për analiza toksikologjike janë referuar nga disa klinika të QKUK-së, përfshirë Klinikën e Psikiatrisë, Klinikën e Emergjencës, Klinikën e Neurologjisë, si dhe Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv.
Në planifikimet për vitin 2026, Shërbimi i Toksikologjisë synon zgjerimin e gamës së parametrave analitikë dhe testimeve toksikologjike, përfshirë avancimin e infrastrukturës laboratorike, përmirësimin e kapaciteteve të analizës dhe trajnimin e mëtejmë të stafit profesional./Katror.info











