Studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, në të gjitha nivelet – BA, MA dhe PhD – tashmë kanë mundësi të shfrytëzojnë shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës pa pagesë, si dhe të realizojnë praktikën profesionale brenda këtij institucioni.
Kjo mundësi vjen pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Fakultetit Filozofik dhe Agjencisë së Arkivave, e cila synon forcimin e lidhjes akademike, ngritjen e kapaciteteve kërkimore dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin. Marrëveshja parashikon zhvillimin e praktikave profesionale, përfshirjen në projekte kërkimore, shkëmbimin e literaturës, si dhe organizimin e trajnimeve, seminareve dhe aktiviteteve shkencore të përbashkëta.
Studentët që kryejnë praktikën në Agjenci do të pajisen me vërtetim zyrtar për përvojën profesionale dhe do të përfitojnë nga përjashtimi i tarifave për shfrytëzimin e dokumentacionit arkivor dhe materialeve të bibliotekës. Kjo u mundëson atyre qasje të lehtësuar në burime arkivore dhe mundësi të drejtpërdrejta për hulumtim dhe avancim akademik.
Ky hap përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin profesional dhe shkencor të studentëve, duke i afruar ata më pranë burimeve origjinale historike dhe praktikës reale të hulumtimit./Katror.info











