Universiteti i Prishtinës ka hapur konkursin për bursa në nivelet e masterit dhe doktoratës, si dhe thirrjen për mbështetje financiare për studentët me nevoja të veçanta për vitin akademik 2024/’25.
Për të qenë të kualifikuar për bursa në nivelin master, studentët duhet të jenë të rregullt, pa vit të përsëritur, të kenë regjistruar dy semestrat e vitit akademik 2024/’25 dhe të kenë përfunduar me sukses të gjitha provimet e vitit 2023/’24 deri në afatin e shtatorit, me notë mesatare jo më të ulët se 9.
Bursat për studentët e doktoratës janë të hapura për ata që janë studentë të rregullt të UP-së, të regjistruar në këtë nivel studimesh në vitin 2023/’24 ose 2024/’25 dhe që kanë regjistruar semestrin veror të vitit të kaluar akademik.
Edhe studentët me nevoja të veçanta mund të aplikojnë për mbështetje financiare, nëse janë studentë të rregullt, i përkasin kategorive të veçanta të shoqërisë dhe kanë regjistruar dy semestrat e vitit 2023/’24.
Vlerat e bursave dhe mbështetjes financiare janë:
- Doktoratë: 800 euro
- Master: 700 euro
- Studentë me nevoja të veçanta: 500 euro
Aplikimet bëhen në platformën online të Universitetit të Prishtinës, sems.uni-pr.edu, duke filluar nga e hëna, 10 nëntor 2025, ora 10:00, dhe përfundojnë më 17 nëntor 2025, ora 16:00.
Detajet e konkurseve dhe dokumentet për aplikim mund të gjenden në vegëzat përkatëse:
- Bursat Master 2024/’25
- Bursat Doktoratë 2024/’25
- Mbështetja financiare për studentët me nevoja të veçanta 2024/’25
Universiteti i Prishtinës, institucioni më i madh dhe më i suksesshëm i arsimit të lartë në Kosovë, i cili renditet lartë në platformat prestigjioze ndërkombëtare në mesin e universiteteve në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe botë, pret me interes aplikimet me transparencë dhe meritokraci./Katror.info
















