Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, duket se është gjithnjë e më shumë i mahnitur nga talenti i yllit të Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova.
Sipas mediave italiane, Spalletti është impresionuar nga paraqitja e fundit e Zhegrovës, në derbin ndaj Torinos, ku futbollisti kosovar u aktivizua nga banka e rezervistëve.
Për vetëm 25 minuta lojë, Zhegrova krijoi katër raste të rrezikshme dhe ishte i papërmbajtshëm për mbrojtjen kundërshtare.
Kjo paraqitje ka bërë që trajneri i “Zonjës së Vjetër” të mendojë për një modul të ri loje, që do t’i përshtatej më shumë stilit sulmues dhe kreativitetit të Zhegrovës.
Thuhet se Spalletti po shqyrton mundësinë e kalimit në formacionin 4-3-3 ose 4-2-3-1, për t’i dhënë më shumë liri lojtarit kosovar në krahët e sulmit.
26-vjeçari, i cili këtë verë u transferua nga Lille te Juventusi, ka zhvilluar deri tani pesë ndeshje, tri në Serie A dhe dy në Ligën e Kampionëve.
Megjithëse ende nuk është në formën e tij më të mirë fizike, Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit italian. /RTK/Katror.info
















