Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut po vazhdon procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, dhe procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, një ditë më parë është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë Junikun, Mamushën, Kllokotin, Obiliqin, Klinën, Vushtrrinë, Dragashin, Rahovecin, Gjakovën, Gjilanin, Fushë Kosovën, Suharekën, Kaçanikun, Prishtinën, Vitinë, Prizrenin dhe Pejën.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërkaq, po vazhdon rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Deri në orën 09:00 të ditës së mërkurë, janë rinumëruar 10 vendvotime, ndërsa procesi pritet të vijojë gjatë ditës.
Rezultatet pas verifikimit publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së: 👉 https://resultslocal2025r2.kqz-ks.org/
/Katror.info
















