Samsung po përgatitet të zgjerojë edhe më tej ekosistemin e saj të pajisjeve inteligjente. Sipas një raporti nga Android Authority, gjatë analizës së versionit më të fundit të aplikacionit Galaxy Ring Manager, janë zbuluar pjesë kodi që sugjerojnë se Galaxy Ring mund të përdoret si një kontrollues për pajisjet Android XR në të ardhmen.
Ky zbulim ngre pyetjen: pse përmendet “Android XR” dhe jo specifikisht Galaxy XR, kufjet e realitetit të zgjeruar që Samsung pritet të lansojë së shpejti? Arsyeja qëndron në faktin se kodi përmend shprehjen “Ring gesture for glasses” — që përkthehet si “gjeste me unazë për syze”. Kjo nënkupton se unaza mund të përdoret për të kontrolluar syzet inteligjente, e jo vetëm kufjet XR, shkruan MSN, transmeton Katror.info.
Samsung ka konfirmuar më herët se po zhvillon pajisje të reja në bashkëpunim me Google, Warby Parker dhe Gentle Monster – kompani që njihen për prodhimin e syzeve. Kështu që, është e mundur që gjeneratat e ardhshme të pajisjeve Samsung XR të marrin formën e syzeve inteligjente, me Galaxy Ring që do të shërbejë si një mënyrë e re kontrolli për to.
Në fakt, kjo ide nuk është krejt e papritur. Galaxy Ring tashmë ka disa funksione kontrolli — mund të përdoret për të bërë foto apo për të fikur alarmin në telefon. Zgjerimi i këtyre funksioneve për të kontrolluar pajisje të tjera si syzet XR duket si hapi i radhës i natyrshëm.
Vendimi i Samsung për të hyrë në tregun e unazave inteligjente fillimisht u pa si një lëvizje e guximshme, pasi ky segment dominohej prej vitesh nga Oura Ring dhe nuk kishte fituar ende popullaritetin e orëve inteligjente apo të byzylykëve të fitnesit. Por tani duket se Samsung mund të ketë pasur një plan më të madh në mendje.
Nëse Galaxy Ring bëhet pjesë e pandashme e pajisjeve të reja XR, ajo mund të shndërrohet në një aksesore të domosdoshme, njësoj si AirPods për përdoruesit e iPhone-it apo Apple Pencil për iPad-in. Në këtë mënyrë, unaza e Samsung mund të jetë më shumë se një pajisje shëndetësore – ajo mund të bëhet çelësi i kontrollit të botës së realitetit të zgjeruar Android. /Katror.info
















