Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, z. Avdi Hoti, u nderua me medalje nderi në Poloni për kontributin e tij në bashkëpunimin ndërkombëtar sindikal. Me ftesë të Sindikatës së Pavarur Vetëqeverisëse të Policisë së Polonisë (NSZZ Policjantów), Hoti mori pjesë në ceremoninë e 35-vjetorit të kësaj sindikate, e zhvilluar në Varshavë.
Presidenti i sindikatës polake, z. Rafal Jankowski, i dorëzoi kryetarit Hoti medaljen në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet sindikatave.
Kryetari Hoti theksoi se këto takime krijojnë ura të reja komunikimi dhe theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndër-sindikal për shkëmbimin e përvojave, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe forcimin e dialogut social.
Sindikata e Policisë së Kosovës u shpreh e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me sindikatat e tjera dhe për forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale në fushat me interes të përbashkët./Katror.info










