Propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë përgjigje të prerë nga katër parti parlamentare, një ditë para se ato të nxirren për diskutim e miratim në Kuvendin e Kosovës, në dy seanca të ndara. Në seancën e parë ku do të synohet formimi i komisioneve, që i hapin rrugë veç tjerash edhe projektligjit të buxhetit 2026, subjektet politike PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se nuk do të marrin pjesë. Të njëjtat, ndonëse kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e dytë, janë deklaruar se nuk kanë votë për Glauk Konjufcën të mandatuarin e dytë për krijimin e qeverisë.
Seanca e parë që më kërkesë të 40 deputetëve të Vetëvendosjes është caktuar të mbahet në orën 11:00, parasheh nëntë pika të rendit të ditës. Në këtë seancë do të synohet formimi i komisioneve parlamentare e më pas shqyrtimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, shqyrtimi në lexim të parë i projektligjit për buxhetin për vitin 2026, miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin- Potokut, si dhe trajtimi i çështjes së financimit të RTK-së.
Në rast të dështimit të Konjufcës për të siguruar votat e nevojshme për Qeverinë, presidentja është e obliguar t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.
Zgjedhjet për Qeverinë që synohet të formohet sot janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, e pasuar nga PDK-ja me 20.95, LDK-ja me 18.27 dhe AAK-Nisma me 7.8 për qind të votave.
LVV-ja ka siguruar 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, AAK 5, Nisma 3, ndërsa Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb. Një ulëse nga komuniteti serb e ka partia e Nenad Rashiqit, ndërsa dhjetë ulëset e tjera nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.











