Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka zhvilluar sot një takim të përbashkët koordinues me përfaqësues të Bankës Botërore, me fokus në ecurinë e projekteve që ky institucion ndërkombëtar po mbështet dhe financon në Kosovë. Takimi u udhëhoq nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJD-së, Ilir Muçaj, dhe Carole Megevand, Drejtore e Zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë fjalës së tij, Sekretari Muçaj shprehu mirënjohjen e Ministrisë ndaj Bankës Botërore për kontributin e pandërprerë në mbështetjen e reformave ekonomike dhe zhvillimit të përgjithshëm të vendit. Ai tha se bashkëpunimi me Bankën Botërore ka qenë vendimtar për avancimin e projekteve strategjike në Kosovë.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte forcimi i infrastrukturës institucionale për implementimin sa më efikas të projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe përmirësimi i kornizës së marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me këto projekte.
Palët trajtuan edhe hapat e ardhshëm për thellimin e bashkëpunimit dhe përforcimin e mekanizmave të zbatimit të marrëveshjeve financiare dhe asistencës teknike që Banka Botërore i ofron Kosovës në kushte të favorshme.
Në përmbyllje, Sekretari Muçaj rikonfirmoi përkushtimin e MPJD-së për të avancuar proceset e bashkëpunimit me Bankën Botërore, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti në fushën e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit./Katror.info











