Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, do të organizojë për dy ditë rresht Konferencën e 5-të ndërkombëtare shkencore për edukim fizik, sport dhe shëndet. Ngjarja do të mbahet më 21 dhe 22 nëntor, në Amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit, duke nisur nga ora 09:00.
Këtë vit, konferenca zhvillohet nën temën “Sporti dhe edukimi fizik në epokën e ndryshimeve globale: Sfidat dhe perspektivat”, duke sjellë qasje bashkëkohore mbi zhvillimet shkencore dhe profesionale në fushën e sportit.
Në mesin e panelistëve pritet të jenë emra të shquar të sportit vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë kampionen olimpike Majlinda Kelmendi, trajnerin e mirënjohur me pesë medalje olimpike, Driton Kuka, selektorin e Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, si dhe studiuesit dhe ekspertët ndërkombëtarë Megan Chawansky e Antonio Tessitore. Ata do të ofrojnë perspektiva të thelluara mbi edukimin fizik, sportin elitar dhe qasjet moderne në zhvillimin e sportistëve.
KOK ka ftuar federatat, klubet, trajnerët dhe sportistët që të marrin pjesë në këtë konferencë, për të përfituar nga përvoja dhe njohuritë e panelistëve dhe ligjëruesve të tjerë./Katror.info











