Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin hapës në samitin “Growth Plan, Our Pathway to EU”, ku theksoi se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk duhet parë vetëm si një itinerar politik drejt Brukselit, por si një udhërrëfyes që hap liritë dhe mundësitë e tregut evropian për qytetarët e rajonit.
Sipas tij, vendet e Ballkanit i përkasin historikisht hapësirës ekonomike dhe kulturore të Evropës.
Rama ndaloi te humbjet e së shkuarës dhe dështimet për bashkëpunim rajonal, duke nënvizuar se rajoni ka mbetur për shumë vite peng i mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të vjetra.
“Më mirë vonë se kurrë, pas gjithë atyre shanseve të humbura kur trenat e bashkëpunimit u nisën dhe ne mbetëm në platformë. Duhet të shkojmë drejt të ardhmes, jo të mbetemi te mosmarrëveshjet e së kaluarës”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se modeli evropian është ndërtuar mbi veprim konkret, duke nënvizuar se samiti në Tiranë përfaqëson pikërisht momentin për të kaluar nga premtimet në zbatim: “Nuk jemi këtu për të shtyrë punët, por për të ndërtuar së bashku atë që kërkohet të bëjmë sot.”
Kryeministri u ndal edhe te sfida që procesi i integrimit shpesh perceptohet si abstrakt për qytetarët, ndërsa efektet përjetohen përmes përmirësimeve të drejtpërdrejta në jetën e përditshme.
Një shembull konkret, sipas tij, është heqja e tarifave të roaming-ut me Bashkimin Evropian.
“Vitin e ardhshëm tarifat e roaming-ut me BE do të hiqen. Ky është një tjetër kufi artificial që bie mes nesh dhe Evropës”, shtoi ai.
Në qendër të fjalës së tij ishte edhe transformimi digjital i rajonit.
Rama njoftoi se Ballkani po hyn në një fazë të re me identitetin digjital të unifikuar, duke shtuar se Shqipëria do ta zbatojë këtë realitet që nga fillimi i vitit të ardhshëm.
“Revolucioni digjital dhe identiteti digjital në Ballkan do të pasqyrojnë standardet evropiane. Jam krenar t’ju them se nga viti i ri identiteti digjital në Shqipëri bëhet realitet”, vijoi kreu i Qeverisë.
Rama theksoi se mbështetja për Ballkanin Perëndimor nuk është një favor, por një investim i ndërsjellë strategjik.
Ai u tregua i qartë se vendet e rajonit nuk po trokasin në dyert e BE-së “duarbosh” apo në kërkim të përfitimeve pa meritë.
“Askush nuk po thërret për t’u shërbyer me ëmbëlsira, por vijnë me krenarinë për të ofruar vlerë, mund dhe djersë. Falë zotit nuk duhet gjak”, deklaroi ai.
Rama nënvizoi se integrimi nuk është një akt lutjeje, por rezultat reformash dhe punësh konkrete: “Nuk po lutem të futemi në BE, nuk kërkojmë lëmoshë. Ne po japim rezultate dhe sa i takon konvergjencës, Evropa bëhet më e fortë me Ballkanin Perëndimor.”
Ai shtoi se qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se vendi po ecën drejt BE-së me arritje të prekshme.
“Po shkojmë drejt BE jo si lypës, por me detyrat e shtëpisë të kryera dhe me rezultate në çdo hap. Do të punojmë deri sa të futemi në BE si kontribues”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Duke e mbyllur me një mesazh simbolik, ai tha se kontributi i Ballkanit në sigurinë evropiane është i padiskutueshëm: “Për sigurinë tuaj, zgjidhni një ballkanas, kjo funksionon gjithnjë. Ne mund të jemi truprojat e Evropës.”
Samiti në Tiranë synon t’i japë një impuls të ri bashkëpunimit rajonal dhe afrimit të tregut dhe standardeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian./AlbanianPost/Katror.info
















