Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar hapjen e 100 pozitave të reja akademike dhe një sërë avancimesh në mbledhjen e tij të 22-të, të mbajtur më 20 nëntor 2025. Vendimet synojnë fuqizimin e kapaciteteve të UP-së dhe rritjen e cilësisë në mësimdhënie e kërkim shkencor.
Një nga pikat kryesore të mbledhjes ishte miratimi i asociimit të mjekut farmacist dhe profesorit të King’s College London, prof. Driton Vllasaliu, i cili do të angazhohet në UP me orar të pjesshëm. Po ashtu, Senati miratoi avancimin në profesor-asistent të akademikut nga Universiteti Teknik i Vjenës, prof. Ilir Murturi, tani i transferuar me normë të plotë në kuadër të Rregullores për “kthimin e trurit”. Ky konsiderohet rasti i parë i këtij lloji në UP.
Hapja e konkurseve dhe angazhimi i profesorëve me reputacion ndërkombëtar nga diaspora akademike bëhen në bazë të Rregullores për transferim, programit Brain Gain dhe procedurës për raste të jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025.
Në muajt shtator dhe tetor, UP kishte asociuar edhe dy profesorë të tjerë me renome ndërkombëtare, prof. Dukagjin Blakaj dhe prof. Gëzim Visoka, duke zgjëruar kështu bashkëpunimet me ekspertë të fushave të ndryshme.
Gjatë mbledhjes, Senati miratoi gjithashtu avancime dhe rizgjedhje të stafit akademik në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Mjekësisë. Vendime të tjera për riemërime e avancime pritet të shqyrtohen në seancat e ardhshme.
Senatorët aprovuan njëzëri edhe angazhimin e një profesori vizitor nga Universiteti “Shën Kirili dhe Shën Metodi” i Bullgarisë, i cili do të ligjërojë në Degën e Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë.
Në këtë mbledhje u ratifikua një temë doktorate dhe u miratua ndërrimi i mentorit për një kandidate tjetër të studimeve doktorale, në përputhje me rekomandimet e Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës./Katror.info
















