Nga Skender Boshtrakaj
Në jetën kulturore të një kombi, ka momente që nuk përsëriten. Ka zëra që nuk ngjajnë një tjetri, por shpërthejnë të pakontrolluar nga “pentagram”. Ka krijues që nuk ecin në kohë, por e përkufizojnë atë, në mënyrë të veten.
Njëri prej tyre është Skender Sherifi, shkrimtar, poet, rebel estetik, një ecës në skajet e imagjinatës europiane, një shqiptar që e ka formësuar veten mes Parisit, Brukselit, dhe gjeografisë shqiptare, herë të prekur e herë imagjinare, duke e ngritur fjalën e shkruar, herë shqipe e herë frënge, në lartësitë ku kombi bëhet kulturë dhe kultura bëhet urë.
Brukseli, kryeqyteti i Europës, po i jep atij nderimin më të natyrshëm se që jemi mësuar të shohim kur festohet poezia: një jubile të dyfishtë, një festë të mendjes dhe shpirtit, një falënderim të interpretuar përmes mediumeve të ndryshme të artit, organizuar prej artistëve dhe institucioneve që e kuptojnë se arti i vërtetë e shpërthen kufirin dhe e shndërron individin në burim drite kolektive.
Pas mbrëmjes së suksesshme të 17 tetorit, kur publiku belg dhe mërgata shqiptare festuan rrumbullaksimin e 50-vjetorit të krijimtarisë së tij dhe 70-vjetorit të lindjes, Brukseli vjen edhe më fuqishëm me një nderim të dytë, dyfish më grandioz dhe profesional.

Programi: një spektakël 1 orë e 15 minuta, i paprecedentë për letërsinë shqiptare jashtë vendit
• 20 poezi të interpretuara nga 4 aktorë elitarë të skenës frankofone.
• 2 performanca teatrore speciale: 20 minuta SLAM POETRY, me një artist me renome evropiane.
• Një performancë radikale RAP, mbi librin Festivali i Pasionëve, nga një interpretues me 20 vite përvojë në skenat e rap-it belg.
Kjo nuk është thjesht një mbrëmje.
Është një ritual poetik, një dialog mes vargut dhe lëvizjes, mes zërit dhe ritmit, mes kulturës shqiptare dhe asaj belge.
Një akt i rrallë ku poezia nuk lexohet, interpretohet, frymon, vibron.
Mirënjohje për Belgjikën kulturore
Dua të shpreh publikisht mirënjohjen time të thellë për institucionet dhe qarqet kulturore belge, që me përkushtim dhe profesionalizëm po e nderojnë një nga krijuesit më të veçantë të letërsisë shqiptare bashkëkohore.
Faleminderit për organizimin, hapësirën, respektin, dhe mbi të gjitha, për pranimin e Skender Sherifit jo vetëm si poet shqiptar, por si penë europiane, zë i qytetarisë kulturore dhe përfaqësues i një shpirtshkrimi që ecën midis dy gjuhëve, shqipes dhe frëngjishtes, dhe midis shumë epokave.
Faleminderim edhe për të gjithë ata që ndihmuan në shpërndarjen e lajmit, duke e kaluar informacionin në agjenci, gazeta dhe rrjete. Shpresoj që edhe mediat shqiptare ta njohin këtë ngjarje siç e meriton.
Skender Sherifi, krijues që shkon përtej kufirit të fjalës
Në sytë e Brukselit, ai është një ambasador i lirë i artit bashkëkohor.
Në sytë tanë, është një pasuri e letërsisë shqipe, një shteg i vetmuar dhe i lavdishëm midis rebelimit dhe kodit të nderit.
Ai është shkrimtar dygjuhësh, krijues eklektik dhe laborator kulturor, një mjeshtër i shtresëzimit estetik që ndërthur shekujt, kulturat, mitet dhe ekspresionet e botës post(post)moderne.
Një urë mes artit të të qenit shqiptar dhe europian.
Prandaj kjo mbrëmje nuk është vetëm nderim.
Është një akt drejtësie kulturore, një falënderim i përkthyer në performancë artistike dhe vlerësim i lartë, që i jepet një krijuesi që e ka sfiduar kohën, fjalët e harruara dhe konvencionin intelektual.
Me respekt të thellë,
Skender Boshtrakaj
Në nderim të një miku, një poeti që e ka shkruar emrin e vet aty ku krijimtaria nuk shpjegohet, por përjetohet.
















