Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, të cilat kanë qenë gjithëpërfshirëse në të gjitha komunat, përfshirë edhe ato në veri, deputeti i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka më asnjë arsye që ta mbajë Kosovën nën masa sanksionuese. Sipas tij, veprime duhet të ndërmerren edhe në shqyrtimi e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE, që është dorëzuar më 2022, pavarësisht pengesave që mund të shfaqin shtetet jonjohëse.
Në një bisedë për KOHËN, në margjinat e Konferencës së Sigurisë të mbajtur në Beograd, eurodeputeti Reuten ka thënë se ky proces ka ngecur në BE pa arsye teksa e ka shtruar nevojën për veprime konkrete nga të gjitha palët e përfshira.
“Siç ndoshta e dinë shikuesit tuaj, unë jam një mbështetës i fortë i rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe mendoj, dhe e kam thënë këtë shumë herë, se tani duhet të fokusohemi në përfundimin e punës. Një nga hapat e rëndësishëm është që aplikimi i Kosovës për anëtarësim të shqyrtohet më në fund. Nuk mund ta kuptoj që kjo të qëndrojë kaq gjatë në pritje”, është shprehur Reuten.
Eurodeputeti holandez ka thënë se arsye për mosshqyrtimin e aplikacionit nuk duhet të shërbejë fakti se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nuk ka absolutisht asnjë arsye për këtë. Ne mund të vazhdojmë me procesin, pavarësisht faktit që ende ka disa shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Kjo është një fakt, por megjithatë mund të vazhdojmë me përpunimin e aplikimit për anëtarësim”, ka thënë ai.
Për sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e lehtëson Bashkimi Evropian, ai ka folur për rëndësinë e krijimit të një momentumi të ri për të avancuar marrëveshjet dhe që kjo të nisë me heqjen e masave për Kosovën./Katror.info











