Me arsyetimin se është bllokuar buxheti nga Qeveria në detyrë, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar publikun se si Trafiku Urban nga e hëna do të ndërpresë shërbimet e transportit.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati ka demantuar Ramën duke treguar se Thesari të premten ia ka alokuar komunës mjetet për dhjetorin.
E ndaj këtij paralajmërimi kanë reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e ish-nënkryetari Dardan Sejdiu. Të dy kanë kthyer në kujtesë problemet që kanë gjetur në komunë pas largimit të pushtetit të LDK-së dhe vështirësitë në realizimin e marrëveshjes për blerjen e autobusëve të rinj, shkruan KOHA.
Paralajmërimi “kërcënues” i Trafikut Urban për ndërprerjen e shërbimit të transportit, e që për publikun e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nxitur reagime të shumta. Përveç sqarimeve të ministrit në detyrë, Hekuran Murati që hedh poshtë pretendimet e Ramës për bllokim të buxhetit nga Qeveria, idesë së ndërprerjes së transportit publik i kanë reaguar edhe ish-kryetari i komunës Shpend Ahmeti dhe ish-nënkryetari Dardan Sejdiu.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë në konferencë për media të dielën se përfaqësuesit e “Trafikut Urban” dhe të Shoqatës së transportuesve të sektorit privat e kanë njoftuar për vendimin që kanë marrë se që nga e hëna do ta ndërpresin punën.
“Sapo përfundova një takim me përfaqësues të ‘Transportit Urban’ dhe të Shoqatës së transportueseve të sektorit privat, të cilët më njoftuan se nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Paralajmërime të njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrje të tjera, të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesat – duke cenuar kështu shërbimet esenciale të qytetarëve të kryeqytetit. Me keqardhje të thellë e them: nuk kam besuar kurrë se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore. Buxheti i kryeqytetit është përdorur si mjet në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet kanë përfunduar. Qytetarët votuan për zhvillim jo për bllokim”, ka thënë Rama.
Ai paralajmëroi se për arsye të njëjta edhe shërbime të tjera në kryeqytet do të preken në ditët në vazhdim.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Hekuran Murati.
Ministri në detyrë i Financave ka njoftuar se komunës së Prishtinës i është alokuar buxheti i dhjetorit të premten, por se pushteti nuk ka kryer asnjë pagesë atë ditë.
“Të premten pasdite Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike. Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se ‘i kryejmë të hënën’. Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bënin propagandë antiqeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën”, ka sqaruar Murati.
Sipas tij, pushteti në Prishtinë dhe LDK-ja nuk e kanë hallin te shërbimet por te mungesa e kauzave.
“Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën. Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët e tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend. Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursenin as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, tha Murati.
E në konferencën për media, Rama nuk ka zënë në gojë dështimin e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe refuzimin e partisë që i përket, LDK-së, që të shqyrtojë dhe miratojë buxhetin e vitit 2025 për tri komunat, përfshirë Prishtinën, e edhe projektligjin për buxhetin 2026.
“Buxheti i Prishtinës është bllokuar për motive krejtësisht politike”, ka thënë Rama.
E duke marrë shkas nga ky diskurs i Ramës ka reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai ka sjell në kujtesë kohën kur ai e kishte gjetur në gjendje të vështirë Trafikun Urban dhe pengesat që pushteti qendror i drejtuar nga LDK ia kishte bërë marrëveshjes për blerjen e autobusëve të rinj.
“Nesër Prishtina s’ka transport publik. Ditë e dhimbshme. E patëm marr Trafikun Urban me 1.5 milionë borxhe dhe 24 muaj paga të papaguara. Procesi na është zhagitur nga qeveria e udhëhequr nga LDK për shkak të garancionit të sovranitetit që duhej të votohej nga Kuvendi i Republikës. Edhe pse kishim siguruar 10 milionë euro kredi nga BERZH. Gjatë asaj kohe përkundër kundërshtimeve kam takuar vetëm Avdullah Hotin nja pesë herë. Kam kërkuar edhe nga shefi i grupit parlamentar të VV që t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare (asokohe VV-ja rrallë votonte propozimet e qeverisë) vetëm që të votoheshin edhe autobusët”, ka shkruar Ahmeti.
“Politika është kompromis. Posaçërisht kur është interesi qytetar në pyetje. Autobusat janë një, e ditëve në vijim shkollat do të mbesin pa rrymë, çerdhet pa bukë etj etj. Aman takonu qoftë edhe me ndërmjetësues sepse janë pika vitale të funksionimit. Çkado që keni nevojë janë të gatshëm të tjerët të ndihmojmë. Postet vijnë e shkojnë. Zgjedhje do të ketë edhe të tjera. Por të këqijat ju mbesin në ndërgjegjje e në histori. Takonu!”ka shkruar Ahmeti.
















