Në shumë familje në Kosovë, fundi i muajit shpesh shoqërohet me dilema: pagesa e energjisë, qiraja, ushqimi për fëmijët dhe këstet e kredive që duhet të paguhen.
Shumë individë duhet të vendosin se çfarë do të paguajnë sot dhe çfarë do të shtyhet për nesër. Ky presion financiar është bërë një pjesë e zakonshme e jetës së përditshme për disa qytetarë.
Pjesa më e madhe e individëve dhe familjeve nuk kanë ndonjë “rrjet sigurie” të mjaftueshëm për t’u mbrojtur nga ndryshimet e papritura të të ardhurave, si humbja e punës apo problemet shëndetësore. Ky presion financiar i vazhdueshëm ka sjellë një realitet ku shumë qytetarë ndihen të bllokuar në një cikël të pafund të borxheve dhe pagesave mujore, pa një rrugë të qartë daljeje.
Në këtë kontekst lind nevoja për të kuptuar më mirë fenomenin e mbingarkesës me borxh, i cili ndikon jo vetëm në financat personale, por edhe në jetën sociale dhe ekonominë e përgjithshme të vendit.
Mbingarkesa me borxh i referohet një situate ku një individ, biznes apo edhe një shtet ka borxhe më të mëdha sesa mund të përballojë t’i shlyejë.
Kjo gjendje shpesh rezulton nga faktorë si humbja e vendit të punës, problemet shëndetësore apo menaxhimi i dobët financiar.

Disa nga treguesit më të zakonshëm të këtij fenomeni financiar përfshijnë vonesën e shpeshtë të pagesave, shpenzimin përtej mundësive financiare dhe raportin e lartë borxh/të ardhura, i cili mat pjesën e të ardhurave që shkon për shlyerjen e borxhit.
Me zgjerimin e mundësive për kredi, shumë individë, veçanërisht të rinjtë, shpesh mbesin të ngujuar në një cikël borxhi për të përmbushur nevojat bazike.
23 vjeçari Taulant Isufi, duke përjetuar vetë marrjen e një kredie, e kuptoi se situata mund të bëhet e vështirë për t’u menaxhuar.
“Kur e kam marrë kredinë për me e ble një makinë, mendojsha se ishte një mënyrë e mirë për me i përballu shpenzimet e përditshme. Por shpejt e kuptova se kësti mujor është më i madh se sa mundesha me e përballu, sidomos duke e pasë parasysh pagën mesatare në Kosovë, e cila shpesh nuk mjafton për me i përmbush nevojat bazike dhe detyrimet mujore. Normat e interesit janë relativisht të larta, dhe kjo e bën kredinë ma të shtrenjtë se sa e kisha parashiku. Për ma tepër, ndonjëherë bankat nuk janë të qarta në shpjegimin e mënyrës së saktë se si funksionon marrja e kredisë, gjë që e bën të vështirë për qytetarët me i kuptu realisht detyrimet që po marrin” – thotë Taulanti.
Mbingarkesa me borxh në Kosovë po bëhet një shqetësim në rritje për vendimmarrësit dhe institucionet financiare, për shkak të rritjes së aksesit në kredi dhe marrjes së shumë kredive njëkohësisht.
Një studim i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregon se, edhe pse shumica e huamarrësve menaxhojnë borxhet e tyre, një përqindje e konsiderueshme është në rrezik ose tashmë e mbingarkuar me borxh, sidomos ata që kanë më shumë se një kredi.

Sipas raportit, kur këstet mujore matën mbi 50% të të ardhurave bruto mujore të huamarrësve, rreth 27.4% e tyre ndodheshin në këtë kategori, duke treguar një nivel të lartë të ngarkesës financiare. Kur matja bëhet mbi të ardhurat e njësisë familjare, kjo përqindje bie në 11.7%, duke reflektuar një perspektivë më konservative të përballueshmërisë së borxhit.
Raporti identifikon gjithashtu se 21.8% e huamarrësve ishin në fazën e rrezikut të ngarkesës së lartë, ku këstet mujore përbënin midis 50% dhe 75% të të ardhurave. Në fazën kritike, ku këstet arrijnë midis 75% dhe 100% të të ardhurave, ishin 3.8% e huamarrësve dhe 2% e ekonomive familjare.
Huamarrësit që kishin kontrata në disa institucione kishin 40.5% përqind të rasteve me mbingarkesë, krahasuar me 24.2% për ata që kishin vetëm një kontratë kredie. Huamarrësit që vononin pagesat kishin 40% të rasteve me mbingarkesë, ndërsa ata që paguanin rregullisht kishin vetëm 26.1%.

Sipas BQK-së, mbingarkesa me borxh prek më shumë të rinjtë (18–35 vjeç), meshkujt dhe familjet me fëmijë.
Po ashtu, indeksi i ngarkesës u rrit me rreth 2 pikë përqindje, si shkas i ndryshimeve në të ardhurat mujore, humbjen e vendeve të punës ose reduktimin e orëve të punës gjatë krizës shëndetësore.
Ndërkaq, sipas njohëses së ekonomisë, Albulenë Kastrati, shumë qytetarë në Kosovë nuk përfitojnë nga financimi bankar.
“Reth 40 % e popullatës në Kosovë janë të ngarkuar me kredi bankare, që tregon se pjesa tjetër e popullatës mbetet e pashërbyer me financim bankar. Kjo për arsye se bankat në Kosovë akoma vazhdojnë të koncentrohen te kredimarrësit e vjetër, kredimarrësit që ofrojnë më shumë kolateral se vlera e kredisë, dhe kredimarrësit me mundësi të mirë kthimi dhe pa vonesa. Pjesa tjetër e popullatës akoma mbetet e pashërbyer nga bankat” – u shpreh ekspertja.

Megjithatë, sipas saj, kërkesa për kredi si nga ekonomitë familjare si nga bizneset është solide dhe me rritje të përshpejtuar.
“Në 2025 janë lëshuar mbi 1.2 miliardë kredi më shumë në ekonomi sesa në vitin e kaluar. Në njërën anë kjo tregon për një qasje agresive të kreditimit nga bankat në Kosovë, ndërsa në anën tjetër tregohet varësia e madhe e bizneseve dhe ekonomive familjare në financim bankar. Nga aspekti bankar, rritja kreditore ka kuptim meqë ekonomia është stabile, rreziqet bankare janë të ulëta dhe kredimarrësit kryesisht i kthejnë kreditë në kohë. Pra, bankat përfitojnë konsiderushëm në këto kushte ekonomike pa ndërmarrë rrezik të shtuar. Megjithatë, nga pikëpamja e kredimarrësve, rritja e shpejtë e kredimarrjes çon në mbingarkesë të konsiderushme me borxh” – tha ajo.
“Mbingarkesa me borxh vjen për këto arsye: paga e ulët dhe mundësitë e kufizuara për kursime vetanake, të punësuarit me pagë mujore më lehtë qasen në kredi, remitancat nxisin edhe më shumë kredimarrjen sepse zëvendësojnë të ardhurat familjare, si dhe presioni shoqëror për rritje konsumi si vetura, shtëpi, stil jetese më luksoz. Gjithashtu, Kosova ka asistencë të kufizuar shtetërore si asistenca për blerje të shtëpive për ata që blejnë shtëpi për herë të parë si dhe mungesë mbështetjeje kreditë studentore Përtej vlerës së kredisë, rreziku kryesor nga mbingarkesa me borxh vjen nga normat e larta të interesit në Kosovë. Norma mesatare e interesit në Kosovë akoma vazhdon të jetë e lartë, mesatarisht 6.9%, ndëkohë që norma mesatare e interesit në Bashkimin Evropian është përgjysmë më e ulët, pra 3.3%” – shtoi tutje znj.Kastrati.
Ekspertja thekson aspektet e financimit bankar që shumica e qytetarëve mund të mos i njohin.
“Ajo çka qytetarët nuk mund ta dinë është norma e interesit është përmbledhëse dhe ajo rritet çdo muaj. Deri në amortizim të kredisë, norma reale që paguhet rritet në mënyre eksponenciale. Për shembull, nëse një qytetar merr në kredi prej 100,000 euro për të blerë një banesë me normë efektive 6.9%, pas 10 vitesh do të paguajë interes prej 38,712.50 euro (plus 100,000 euro të marra në fillim). Me rritjen e çmimeve të patundshmërive në vend, vlera e kredive që qytetarët kërkojnë pritet të rritet edhe më tej, që çon në mbingarkesë më të madhe me borxh. Me këtë nivel të lartë mbingarkesës me borxh, qytetarët do të detyrohen të marrin kredi të reja vetëm për shlyerjen e kredive të vjetra” – spjegoi ekspertja.
Përveç sfidave financiare, mbingarkesa me borxh në Kosovë mund të ndikojë edhe në shëndetin mendor dhe marrëdhëniet sociale të individëve, duke krijuar stres, ankth dhe ndjenja të izolimit që shpesh e bëjnë të vështirë daljen nga situata financiare.
Njohja dhe adresimi i hershëm i shenjave të mbingarkesës me borxh mund t’u ndihmojë individëve të rifitojnë stabilitetin financiar dhe të parandalojnë pasoja afatgjata./Katror.info.















