Sot u bë pranim-dorëzimi zyrtar i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik-Prishtinë (IAP). Ushtruesja e deritashme e detyrës, znj. Meliza Krasniqi, ia dorëzoi detyrën z. Naim Berisha, i cili nis sot mandatin e tij katërvjeçar si drejtor i IAP.
Instituti falënderon znj. Krasniqi për kontributin e saj profesional dhe administrativ gjatë gjashtë muajve në detyrën e ushtrueses së drejtorit dhe i uron suksese në projektet e saj të ardhshme kërkimore-shkencore.
Z. Naim Berisha ka qenë këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik që nga viti 2008 në Degën e Gjuhësisë. Ai ka mbajtur pozita të ndryshme, përfshirë Shef i Degës së Gjuhësisë (2019-2023), Anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik, Anëtar i Këshillit Shkencor, si dhe pjesëmarrës në projekte të rëndësishme si “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”. Fushat e tij të studimit përfshijnë leksikologjinë, leksikografinë, dialektologjinë, sociolinguistikën dhe kulturën e gjuhës.
Ai gjithashtu ka qenë ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Prizrenit, dhe ka botuar tetë libra dhe 83 njësi bibliografike, duke përfshirë studime, trajtesa, artikuj dhe recensione. Instituti i uron z. Berisha një mandat të suksesshëm, të përgjegjshëm dhe profesional në drejtimin e tij./Katror.info










