Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim një emision të ri pullash postare me titullin “Alpinistet e Kosovës – Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi”, duke nderuar arritjet historike të dy sportisteve kosovare në majat më të larta të botës.
Sipas njoftimit, motivet e pullave prezantojnë Uta Ibrahimin, gruaja e parë nga Ballkani që ngjiti 14 majat mbi 8,000 metra, dhe Mrika Nikqin, alpinisten më të re kosovare që ka arritur majën Everest.
“Me guxim, përkushtim dhe vizion, Uta dhe Mrika e kanë vendosur Kosovën në hartën globale të alpinizmit. Dy sportistet e jashtëzakonshme janë simbole të ambicies së pakufishme dhe dëshmi se ëndrrat e mëdha nuk njohin moshë. Shembulli i tyre mbetet frymëzim për alpinistët e të gjitha brezave,” thuhet në njoftimin e PTK-së.
Ky emision filatelik do të qëndrojë në qarkullim deri në konsumim të plotë, duke ofruar mundësi për koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë vlerë simbolike dhe sportive./Katror.info










