Sot, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) organizoi një punëtori të radhës në kuadër të Departamentit të Licencimit, me pjesëmarrjen e klubeve të Superligës dhe Ligës së Parë, ku u diskutuan çështje kyçe të procesit të licencimit të klubeve për garat e UEFA-s për sezonin 2026–2027.
Punëtorinë e hapi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili theksoi rëndësinë e procesit të licencimit si një hap thelbësor për zhvillimin dhe profesionalizimin e futbollit kosovar.
Menaxheri i Departamentit të Licencimit, Bajram Shala, prezantoi strukturën e re të departamentit. Erika Krasniqi u emërua zëvendësmenaxhere, ndërsa ekspertë të kritereve janë: Agron Shosholli (Personeli dhe Administrata), Besim Ademi (Sportivi), Haris Abdixhiku (Infrastrukturor) dhe Fis Murati (Ligjor). Juristët Bashkim Preteni dhe Labinot Murati u angazhuan respektivisht në Komisionin e Shkallës së Parë dhe të Dytë.
Gjatë takimit, Shala theksoi kriteret specifike dhe afatet për dorëzimin e dokumentacionit nga klubet. Po ashtu, Dardan Sadiku, përgjegjës për Departamentin e Teknologjisë Informative, prezantoi implementimin e platformës MyFFK (Football Management System), e cila do të përdoret nga ky sezon për dorëzimin dhe menaxhimin e dokumenteve të licencimit. Sistemi do të funksionojë fillimisht si projekt pilot, duke lejuar përdorimin paralel me metodat tradicionale, por më vonë do të jetë platforma kryesore për të gjitha klubet.
Gjatë punëtorisë, Doruntinë Fetahaj, përgjegjëse për Qëndrueshmërinë Sociale dhe Mjedisore në FFK, theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë mjedisore në procesin e licencimit, duke përfshirë krijimin e ambienteve më të sigurta dhe riciklimin e materialeve të përdorura gjatë ndeshjeve.
FFK ritheksoi angazhimin e saj për avancimin e vazhdueshëm të procesit të licencimit, në përputhje me rregulloret e UEFA-s dhe standardet bashkëkohore të futbollit./Katror.info










