Google po shtrëngon gjithnjë e më shumë përdoruesit falas të YouTube, duke zgjeruar një test të ri që kufizon aksesin në tekstet e këngëve në YouTube Music. Përdorues pa abonim Premium kanë raportuar se shërbimi i transmetimit muzikor u lejon të shohin tekstet vetëm disa herë, përpara se t’u kërkohet pagesë.
Që nga krijimi i YouTube Music, tekstet e këngëve kanë qenë të disponueshme për të gjithë përdoruesit në aplikacionin mobil. Kjo ka filluar të ndryshojë muajt e fundit, kur Google nisi të testojë një model me pagesë. Seksioni i teksteve vazhdon të shfaqet gjatë dëgjimit të një kënge, por çdo hapje konsumon nga një numër i kufizuar shikimesh falas, shkruan ARS, transmeton Katror.info.
Sipas raportimeve të shumta të përdoruesve, të vërejtura nga 9to5Google, ky kufizim duket se po shpërndahet më gjerësisht. Aplikacioni tani paralajmëron: “Ju kanë mbetur [x] shikime”, dhe sipas testit aktual, përdoruesit marrin rreth pesë shikime falas përpara se tekstet të bllokohen.
Megjithatë, Google nuk e ka njoftuar zyrtarisht përfshirjen e teksteve si pjesë të paketës Premium dhe kjo veçori nuk përmendet ende në faqen e mbështetjes së kompanisë. Në një deklaratë për Ars Technica, Google tha se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar dhe se numri i shikimeve falas ndryshon gjatë testimit.
“Po zhvillojmë një eksperiment me një përqindje të vogël përdoruesish me reklama, që mund të ndikojë në aksesin e përsëritur në funksionin e teksteve. Ne shpesh testojmë veçori të reja për të përmirësuar YouTube Music. Shumica dërrmuese e përdoruesve globalë nuk do të shohin ndryshime,” thuhet në deklaratën e YouTube.
Pasi përdoruesit falas arrijnë kufirin e lejuar, vetëm rreshtat e parë të tekstit mbeten të dukshëm, ndërsa pjesa tjetër mjegullohet. Për të vazhduar leximin, ata udhëzohen të kalojnë në një abonim Premium, i cili kushton 14 dollarë në muaj për YouTube video dhe muzikë, ose 11 dollarë vetëm për YouTube Music. Abonimi përfshin gjithashtu heqjen e reklamave, shkarkime offline dhe cilësi më të lartë transmetimi.
Ky nuk është një rast i izoluar në industrinë e muzikës. Spotify tentoi një kufizim të ngjashëm në vitin 2024, por reagimi i ashpër i përdoruesve e detyroi kompaninë të rikthente aksesin falas në tekstet e këngëve. YouTube Music ka një audiencë më të vogël, gjë që mund ta zbusë reagimin publik, sidomos duke pasur parasysh se shumë përdorues tashmë paguajnë për YouTube Premium për të shmangur reklamat.
Ndërkohë, shtrëngimi i kushteve për përdoruesit falas ka sjellë rritje të të ardhurave për Google. Në raportin e fundit financiar, kompania raportoi 60 miliardë dollarë të ardhura nga YouTube, përfshirë reklamat dhe abonimet — gati 10 miliardë më shumë se një vit më parë.
Tekstet e këngëve në YouTube Music sigurohen nga palë të treta, për të cilat Google paguan licenca, ndaj përpjekjet për të mbuluar këto kosto nuk janë befasuese. Ajo që habit më shumë është fakti se kompania nuk ka përdorur ende inteligjencën artificiale për të gjeneruar tekste, pavarësisht se ka testuar veçori të tjera të bazuara në AI, si DJ virtualë, përmbledhje komentesh dhe përmirësime automatike të videos — shpesh pa paralajmërim për përdoruesit./Katror.info














