A mundet që Ujëvara e Niagara të “ngrihet”? Teknikisht, përgjigjja është jo. Por për syrin e njeriut, duket sikur po ndodh. Kur temperaturat bien në mënyrë ekstreme, mjegulla dhe spërkatjet e ujit krijojnë një shtresë të trashë akulli mbi ujin që rrjedh me shpejtësi. Kjo bën që ujëvara të duket si e ngrirë, ndërsa në të vërtetë uji vazhdon të rrjedhë nën shtresat e akullit, shkruan Niagara Parks, transmeton Katror.info.
Ura e akullit
Çdo dimër, kur ditët me temperatura nën zero janë të shumta, formohet fenomeni i njohur si “ura e akullit”. Zakonisht në janar, pas një periudhe të butë dhe me erë të fortë jugperëndimore, akulli thyen dhe përplaset në lumin Niagara duke u rrëzuar mbi ujëvarën. Akulli i lagësht ngrihet përsëri nga uji poshtë ujëvarës dhe ngrin, duke krijuar një masë të madhe që duket si një akullnajë, e cila mund të arrijë edhe në lartësinë e dhjetë kateve.
Që nga vitet 1880, kjo u kthye në një atraksion të vërtetë: njerëzit mblidheshin mbi akull për argëtim dhe konsumonin pije e ushqime të shërbyera në kabina të ngritura mbi sipërfaqen e ngrirë. Ky fenomen zgjati deri në vitin 1912, kur një periudhë e ngrohtë shkaktoi një rrëshqitje tragjike dhe tre persona humbën jetën, duke i dhënë fund aksesit publik mbi urën e akullit.

Rrjedha e dimrit
Gjatë dimrit, 75% e ujit që vjen nga Liqeni Erie drejt Lumit Niagara devijohet rreth një kilometër para Ujëvarës për qëllime hidroelektrike dhe pastaj kthehet në pjesën e poshtme të lumit. Si pasojë, rrjedha dimërore – sasia e ujit që kalon mbi ujëvarë – është rreth 85 milionë litra në minutë.
Në krahasim, nga 1 prilli deri më 31 tetor, rreth 50% e ujit devijohet, duke rezultuar në rrjedhën verore, që zakonisht matet në 170 milionë litra në minutë.
Bari i akullit (Ice Boom)
Përpara vitit 1964, akulli që lëvizte nga Liqeni Erie përgjatë Lumit Niagara pengonte seriozisht devijimin e ujit për energji dhe dëmtonte instalimet pranë bregut dhe urat. Prej vitit 1964, përdoret një strukturë e quajtur “ice boom”, e vendosur në burimin e lumit për të kontrolluar dëmet e mundshme nga akulli që lëviz.
Ky bari i akullit është i gjatë 2.7 km dhe përbëhet nga pontone prej çeliku, secili rreth 9 metra i gjatë, të vendosura midis qytetit Fort Erie dhe qytetit Buffalo, për të mbajtur akullin larg. /Katror.info















