Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka falënderuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike për vendimin e përbashkët që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet të mërkurën në orën 17:00.
Sipas Çitakut, vendimi u mor me konsensus të plotë gjatë mbledhjes përgatitore dhe përfaqëson një akt të ndërgjegjshëm dhe njerëzor, në respekt të një momenti historik për Kosovën.
“Ky ishte një vendim i ndërgjegjshëm dhe njerëzor në respekt të një momenti historik, sepse nesër në Hagë dëgjohet fjala përfundimtare e mbrojtjes”, ka deklaruar ajo, duke iu referuar procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Çitaku theksoi se në momente të tilla Kosova di të jetë e bashkuar, duke shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një faktor bashkues për shoqërinë kosovare.
“Në çaste të tilla Kosova di të jetë bashkë. UÇK na bashkon”, ka shkruar ajo./Katror.info










