Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se Fakulteti i Mjekësisë ka pranuar 150 ekzemplarë librash të rinj nga spitali Whittington i Londrës, i menaxhuar nga Whittington Health NHS Trust.
Sipas njoftimit, librat përmbajnë protokolle, standarde dhe udhëzime klinike për mbështetjen bazë dhe të avancuar të jetës, të dizajnuara për kategori të ndryshme të popullatës, përfshirë të rriturit dhe fëmijët, në trajtimin e gjendjeve kritike shëndetësore.
Universiteti bën të ditur se librat kanë ardhur në Prishtinë me iniciativë të profesoreshës në Cambridge University Hospital, Leonora Fisniku, dhe të punëtores së spitalit Whittington, Valbona Dula. Transporti i tyre nga Londra në Kosovë është mundësuar nga Ambasada e Kosovës në Londër dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit, e mbajtur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha, e cilësoi këtë nismë si tejet të rëndësishme për universitetin.
Ajo shprehu mirënjohje për spitalin Whittington, iniciatoret e dhurimit nga diaspora, Ambasadën e Kosovës në Londër dhe MPJD-në, duke theksuar se ky donacion përfaqëson një mbështetje të vlefshme për studentët dhe stafin akademik.
Drejtori i Departamentit për Diasporë në MPJD, Elis Badalli, theksoi rëndësinë e donacioneve të tilla, duke u shprehur se çdo kontribut që vjen nga diaspora është i mirëseardhur dhe i dobishëm për studentët.
Ndërkaq, prodekania për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, prof. Aurora Bakalli, falënderoi institucionet e përfshira për organizimin e transportit, duke shprehur shpresën se librat do të shfrytëzohen maksimalisht nga studentët.
Në takim morën pjesë edhe prodekania për financa dhe infrastrukturë e Fakultetit të Mjekësisë, prof. Miranda Stavileci, si dhe koordinatori për diasporë në MPJD, Besnik Deskaj, i cili organizoi procesin e ardhjes së librave dhe komunikimin ndërinstitucional.
Universiteti i Prishtinës thekson se ky donacion përbën një hap të rëndësishëm në mbështetje të avancimit të mësimdhënies dhe përgatitjes profesionale të studentëve të mjekësisë. /Katror.info














