Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë ka dorëzuar në UNESCO dosjen e përgatitur për përfshirjen e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në takimin vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024.
“Rajoni turistik jugor i brendshëm dhe këtu do të ndalem, është një kuti thesaresh, me parqe kombëtare, site arkeologjike, muze, pazare karakteristike nga ai i Gjirokastrës tek pazari i Korçës me serenatat, me kalatë nga ajo e Ali Pashait në Tepelenë tek e Argjirosë në Gjirokastës apo e kalaja e Shanishasë në Libohovë dhe me katër pasaporta të UNESCO-s siç janë Gjirokastra, Berati, isopolifonia dhe së shpejti Vjosa – si fjongo blu që bashkon gjithë këtë rajon – dosjen për përfshirjen në kategorinë “Njeriu dhe Biosfera” në UNESCO e kemi dorëzuar vetëm pak ditë më parë”, tha Kumbaro.
“Njeriu dhe biosfera” është një nga kategoritë më interesante që ka UNESCO, kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën.
Dosja për përfshirjen e Parkut Kombëtar të Lumi Vjosa në programin “Njeriu dhe Biosfera” është një punë e imtësishme dhe e mirëkoordinuar e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me ekspertët e UNESCO dhe Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës, IUCN, që shkon paralelisht me miratimin e Planit të Integruar të Menaxhimit dhe Qendrën Multifunksionale të Vizitorëve të Vjosës, duke krijuar shtigje të reja për krijimin e produkteve të turizmit në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ruajtjes së vlerave të trashëguara nga komunitetet lokale./ATSH