Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), të enjten, ka miratuar dhe publikuar një rregullore që përcakton obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuale gjatë periudhës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë që janë caktuar për 9 shkurt 2025, shkruan Albanian Post.
Në bazë të njoftimit të KPM-së, mediat që planifikojnë të mbulojnë fushatën zgjedhore të partive duhet të deklarohen të paktën 7 ditë para fillimit të fushatës. Gjithashtu, mediat janë të obliguara të dorëzojnë ditarët zgjedhorë – për terminet pa pagesë dhe për terminet me pagesë.
“Ditarët plotësohen dhe dorëzohen në KPM të hënën e secilës javë për të raportuar për javën paraprake, sipas Nenit 11, paragrafi 3 i Rregullores KPM-2024/03”, ka njoftuar KPM-ja, ndërsa një javë para fillimit të fushatës, mediat duhet të dorëzojnë edhe çmimoren që do të zbatojnë gjatë periudhës zgjedhore.
“Një (1) javë para fillimit të periudhës së fushatës zgjedhore, dërgohet çmimorja (listat e çmimeve) e aplikuar gjatë zgjedhjeve, sipas Nenit 9, paragrafi 3 dhe 4 i Rregullores KPM-2024/03”, thuhet tutje në njoftimin e KPM-së.
Kjo rregullore është hartuar në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, dhe synon të sigurojë mbulimin e drejtë dhe transparent të fushatës zgjedhore, duke kontribuar në procesin demokratik të vendit./Katror.info