Në këtë tekst mund të gjeni një artikull të gazetares Zoe Kleinman, i cili shqyrton një dhuratë të pazakontë që ajo mori për Krishtlindje një libër personalizuar, të titulluar “Tech-Splaining for Dummies”, i shkruar nga inteligjenca artificiale.
Me emrin dhe fotografinë e saj në kopertinë, ky libër është një produkt i krijuar nga një kompani që ofron shërbime për krijimin e librave të personalizuar për argëtim.
Në artikull, Zoe tregon përvojën e saj me këtë libër, duke përshkruar sesi AI mund të prodhojë përmbajtje që imitonte stilin e saj të shkrimit, por që gjithashtu kishte shumë gabime dhe hallucinacione që pasqyronin kufizimet e teknologjisë së tanishme.
Për Krishtlindje, një mikeshë më dhuroi një dhuratë mjaft interesante librin tim “best-seller” personal, shkruan Zoe Kleinman për BBC-në, transmeton Katror.info.
Me titullin e shkëlqyer “Tech-Splaining for Dummies”, libri ka emrin dhe fotografinë time në kopertinë, si dhe vlerësime të shkëlqyera.
Por në të vërtetë, ai është shkruar plotësisht nga një inteligjencë artificiale (AI), me disa udhëzime të thjeshta që mikesha ime, Janet, kishte dhënë për mua.
Leximi i tij është i këndshëm dhe në disa pjesë shumë humoristik. Megjithatë, rrëfimi shpesh zvarritet dhe përzihet mes një libri ndihmues dhe një përmbledhjeje anekdotash.
AI-ja ka imituar stilin tim të biseduar të të shkruarit, por gjithashtu është disi e përsëritur dhe tejet e zgjatur. Duket se ka shkuar përtej udhëzimeve të Janet për të mbledhur të dhëna rreth meje.
Disa fjali fillojnë me “si një gazetar kryesor i teknologjisë…” – gjë që më bën të ndihem në siklet dhe që mund të jetë marrë nga një biografi online.
Po ashtu, një gabim i përsëritur në libër është përmendja e një maceje që nuk ekziston (nuk kam kafshë shtëpiake).
Për më tepër, në pothuajse çdo faqe ka metafora disa më të qëlluara, disa krejt të rastësishme.
Një biznes në rritje i librave të gjeneruar nga AI
Në internet ekzistojnë dhjetëra kompani që ofrojnë shërbime për të shkruar libra me AI. Ky libër u krijua nga BookByAnyone.
Kur kontaktova drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Adir Mashiach, i cili ndodhet në Izrael, ai më tregoi se ka shitur rreth 150,000 libra të personalizuar, kryesisht në SHBA, që nga qershori 2024, kur kompania kaloi nga krijimi i guidave të udhëtimit të gjeneruara nga AI te ky model biznesi.
Një kopje fizike e një libri personal prej 240 faqesh kushton 26 paundë. Kompania përdor mjetet e saj të inteligjencës artificiale, bazuar në një model të madh gjuhësor me burim të hapur.
Sidoqoftë, libri nuk mund të blihet nga askush tjetër vetëm Janet, e cila e krijoi, mund të porosisë kopje shtesë.
Aktualisht nuk ka asnjë pengesë për të krijuar një libër në emër të dikujt tjetër, përfshirë edhe figurat publike.
Megjithatë, z. Mashiach thotë se janë vendosur masa mbrojtëse për të parandaluar përmbajtjen abuzive.
Çdo libër ka një shënim të shtypur, ku thuhet se është një krijim fiktiv, i gjeneruar nga AI dhe i destinuar vetëm për humor dhe argëtim.
Ligjërisht, e drejta e autorit i përket kompanisë, por Mashiach thekson se produkti është thjesht një dhuratë humoristike e personalizuar dhe nuk shitet më gjerë.
Ai shpreson të zgjerojë gamën e librave, duke përfshirë zhanre si fantashkenca apo edhe shërbime autobiografike. Sipas tij, ky është një model argëtimi me AI për konsumatorët pra, shitja e produkteve të krijuara nga AI për klientët njerëzorë.
Një perspektivë e frikshme për shkrimtarët
Megjithëse ky produkt është menduar për argëtim, për njerëzit që e kanë shkrimin profesion si unë është edhe pak shqetësues.
Libri u krijua në më pak se një minutë dhe, në disa pjesë, tingëllon shumë si unë.
Por, siç dëshmon ky rast, AI ende ka dobësi në krijimin e projekteve më të mëdha përmban pasaktësi, “hallucinime” dhe është i vështirë për t’u lexuar për shkak të fjalëve të tepërta.
Megjithatë, duke parë shpejtësinë me të cilën po zhvillohet kjo teknologji, nuk jam e sigurt për sa kohë do të mbetem e bindur se aftësitë e mia të ngadalta njerëzore për të shkruar dhe redaktuar do të jenë më të mira.
Debati mbi të drejtat e krijuesve dhe përdorimin e AI
Artistët, muzikantët, shkrimtarët dhe aktorët në mbarë botën janë shqetësuar nga fakti që vepra e tyre po përdoret për të trajnuar modelet e AI, të cilat më pas prodhojnë përmbajtje të ngjashme.
Ed Newton-Rex, themelues i Fairly Trained, një organizatë që mbron të drejtat e krijuesve, thotë:
“Kur flasim për të dhëna, në të vërtetë po flasim për veprat e jetës së krijuesve njerëzorë – libra, artikuj, foto, vepra arti, regjistrime muzikore… Qëllimi i AI është të mësojë si të bëjë diçka dhe ta përsërisë atë.”
Në vitin 2023, një këngë me zërat e gjeneruar nga AI të Drake dhe The Weeknd u bë virale në rrjetet sociale para se të hiqej nga platformat e transmetimit, pasi nuk ishte vepra e tyre dhe nuk kishin dhënë pëlqimin e tyre.
Newton-Rex thotë se nuk është kundër përdorimit të AI në krijimtari, por se trajnimi i modeleve të AI me vepra pa leje duhet të ndalohet.
Në Britani, disa organizata, si BBC, kanë vendosur të bllokojnë AI nga skanimi i përmbajtjes së tyre, ndërsa disa të tjera, si Financial Times, kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me OpenAI.
Qeveria britanike po shqyrton ndryshime ligjore që mund t’i lejojnë AI të përdorë përmbajtje në internet për trajnime, përveç nëse krijuesit zgjedhin të tërhiqen.
Newton-Rex e quan këtë “çmenduri”, duke argumentuar se AI mund të zhvillohet në fusha si mbrojtja, shëndetësia dhe logjistika, pa shkatërruar të drejtat e krijuesve.
Baronesha Kidron, një anëtare e Dhomës së Lordëve, gjithashtu e kundërshton heqjen e ligjeve të të drejtave të autorit për AI.
“Industria kreative sjell pasuri, 2.4 milionë vende pune dhe shumë gëzim. Qeveria po minon njërën nga industritë e saj më të suksesshme me premtimin e paqartë për rritje ekonomike”, tha ajo.
Një zëdhënës i qeverisë tha:
“Nuk do të marrim asnjë vendim derisa të kemi një plan praktik që u shërben të gjithëve: më shumë kontroll për krijuesit, qasje për modelet e AI në materiale cilësore dhe transparencë më e madhe nga zhvilluesit e AI.”
Ndërkohë, SHBA ka përjetuar ndryshime të mëdha në rregullimin e AI pas kthimit të Trump në presidencë, i cili ka shfuqizuar urdhrin ekzekutiv të Biden për kontrollin e AI.
Me një sërë padish kundër kompanive AI, si ajo e New York Times kundër OpenAI, debati për të drejtat e krijuesve dhe AI po bëhet gjithnjë e më i nxehtë. /Katror.info
Përgatiti:
