Kosova shënon 17-vjetorin e Pavarësisë me një seri aktivitetesh dhe manifestimesh që pasqyrojnë rrugëtimin dhe arritjet e saj si shtet i pavarur.
Për të përfaqësuar vizualisht këtë përvjetor, është krijuar një logo zyrtare që siç e përshkruajnë krijuesit e saj, përmban një jehonë të lehtë të numrit 17 një pasqyrim i kohës, që simbolizon 17 vjet pavarësi, festuar më 17 shkurt.
Pas kësja logoje qëndron vula e Red Mill Agency. Koncepti dhe dizajni i logos u krye nga Drin Mulliqi dhe Agon Çeta, gjersa animacioni i saj nga Enes Ramaxhiku.
Në një intervistë për mediat vendore, krijuesit e logos zyrtare folën për konceptin dhe mesazhin që ajo përçon. Ata shpjeguan se dizajni është ndërtuar mbi simbolikën e numrit 17, duke reflektuar 17 vitet e pavarësisë dhe datën e rëndësishme të 17 shkurtit. Forma e saj, e ngjashme me krahët e hapur, përfaqëson lirinë, përparimin dhe aspiratat e Kosovës për të ardhmen, ndërsa kombinimi i ngjyrës së artë dhe të bardhës nënvizon triumfin dhe unitetin.
“Në shikim të parë, dy forma të guximshme qëndrojnë krah për krah, një jehonë e lehtë e numrit 17. Një pasqyrim i kohës 17 vjet pavarësi, festuar më 17 shkurt. Dy të shtatëmbëdhjeta, të ndërthurura në kuptim, qëndrojnë si një homazh për udhëtimin deri më tani dhe rrugën përpara. Por duke parë më nga afër, format zbulojnë më shumë. Ato ngrihen si krahë, të gatshme për fluturim, duke mishëruar një vend që gjithmonë synon përpara. Ngjyra e artë pëshpërit për triumfin, për një udhëtim të shtruar me sukses. E bardha, ngjyra e unitetit, na kujton se së bashku, ngrihemi lart.
Çdo vijë është një hap drejt së ardhmes. Çdo kënd, një simbol i përparimit. Dhe ashtu si shqiponja që fluturon lart në qiell, Kosova qëndron e gatshme për lartësi të reja, horizonte të reja dhe një të ardhme po aq të pakufishme sa qielli”, kanë thënë ata duke sqaruar konceptin e logos. /Katror.info
Përgatiti:
