Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të zhvillojë sonte një ndeshje të rëndësishme ndaj Azerbajxhanit, e vlefshme për parakualifikimet e FIBA Kupës së Botës 2027. Sfida do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim nga ora 19:30.
Dardanët kanë përgatitur prej ditësh këtë përballje, duke synuar një fitore që do t’u rriste gjasat për kualifikim në fazën e ardhshme. Atmosfera në kampin kosovar raportohet të jetë e shkëlqyer, ndërsa të gjithë lojtarët janë gati për sfidën ndaj Azerbajxhanit.
Përkrahja e tifozëve pritet të luajë një rol kyç në këtë takim, me basketbollistët që kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje. Një fitore eventuale do ta afronte Kosovën me vendin e dytë në Grupin A, duke e mbajtur në garë për kualifikim.
Pas kësaj ndeshjeje, Kosova do të përballet me Zvicrën më 23 shkurt, po ashtu në Prishtinë, në një tjetër duel vendimtar për fatin e saj në këto parakualifikime./Katror.info