Oda Ekonomike e Kosovës, në partneritet me “Turkish Steel Exporters’ Association”, ka organizuar takimet B2B Kosovë-Turqi, një forum i rëndësishëm që ka bashkuar përfaqësues të industrisë së përpunimit të metalit nga të dy vendet, shkruan Katror.info.
Ky aktivitet ka pasur për synim forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe nxitjen e investimeve në këtë sektor, duke krijuar mundësi konkrete për partneritete të reja ndërmjet bizneseve nga Kosova, Turqia dhe vendet e rajonit. Takimet B2B kanë shërbyer si një platformë për diskutime mbi mundësitë e tregut, zgjerimin e rrjeteve të biznesit dhe shkëmbimin e përvojave mes kompanive pjesëmarrëse.
Përfaqësues nga sektori i përpunimit të metalit kanë pasur rastin të prezantojnë kapacitetet e tyre prodhuese, të eksplorojnë mundësitë për rritjen e eksportit dhe të diskutojnë forma të reja të bashkëpunimit ekonomik.
Organizatorët e forumit e kanë vlerësuar këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, duke përfshirë edhe perspektivat për projekte të përbashkëta në të ardhmen./Katror.info