Kompania Eurokoha dhe Kosova Airlines kanë ndërmarrë një nismë për ofrimin e tranpsortit falas të baranave esenciale nga Gjermania dhe Zvicra për në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Eurokoha ka thënë se “duke parë vështirësitë e shpeshta me të cilat përballen qytetarët e Kosovës me furnizim me barna esenciale, kompania Eurokoha dhe Kosova Airlines ka vendosur të marrë një iniciativë që ka për qëllim të ndihmojë në furnizim me barna nga vendet e BE-së.”
“Eurokoha dhe Kosova Airlines për këtë qëllim, njofton se ofron transportin falas të të gjitha barnave që kanë destinacion Kosovën e që vijnë nga Gjermania [Shtutgart, Mynih, Hamburg, Hanover, Frankfurt, Dyzeldorf, Nyrenberg] dhe Zvicra [Gjenevë, Cyrih, Bazel].”
Në komunikatë thuhet se Eurokoha dhe Kosova Airlines është e gatshme që të bashkëpunojë me institucionet përkatëse shtetërore në mënyrë që të kryejë transportin falas drejt Kosovës të barnave esenciale.
“Kjo do të bëhet me qëllim që qytetarët e Kosovës të furnizohen me barna të sigurta nga këto vende të BE-së. Kjo iniciativë bëhet në përkrahjen e fushatës së grupit “Besa Besë” “Mos Bli Prodhime Serbe,’” thuhet në njoftimin për media.