Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka njoftuar publikimin e Qarkores zyrtare (Rundschreiben VII2.20104/49#24) nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë (BMI), e cila përcakton procedurat e regjistrimit për shtetasit e Kosovës në këtë shtet, shkruan Katror.info.
Sipas ambasadës, kjo qarkore është shpërndarë më 7 mars 2025 në institucionet lokale të regjistrimit (Melderegister) në të gjitha landet e Gjermanisë. Megjithatë, për shkak të kohës së shkurtër që ka kaluar nga shpërndarja, disa prej këtyre institucioneve mund të mos e kenë pranuar ende dokumentin.
Ambasada e Kosovës në Berlin dhe konsullatat në Düsseldorf, Frankfurt, Hamburg, München dhe Stuttgart kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar çdo sqarim apo informacion shtesë mbi këtë çështje.
Ky zhvillim vjen pas deklaratës së ambasadorit të Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili pak ditë më parë bëri të ditur se shtetasit e Kosovës nuk do të regjistrohen më si shtetas të Serbisë.
Përmes një video-mesazhi, Ajeti theksoi se për më shumë se 17 vite mijëra qytetarë të Kosovës janë regjistruar gabimisht si shtetas serbë në komunat gjermane. Ai e cilësoi këtë ndryshim si një sukses diplomatik që i jep fund një problemi të trashëguar prej vitesh./Katror.info