Gjiri i Vlorës është ‘pushtuar’ nga varkat me vela që u nisën nga Brindisi në Itali që prej 6 korrikut për të konkluduar edicionin e 12 të kësaj gare. Ky vit ishte i veçantë pasi ka pasur një rritje shumë të madhe të garuesve, me trefishim të varkave, ndërkohë që për herë të parë kishte edhe 2 garues shqiptarë, shkruajnë mediat shqiptare.
Kryeministri Edi Rama u takua në Vlorë me personazhet që prej katër ditësh në Gjirin e Vlorës, ofruan një pamje të veçantë si ajo e varkave me vela.
Gjatë fjalës së mbajtur përballë të pranishmëve, Rama mirëpriti aktivitetin italian duke theksuar se ky ishte një pushtim shumë i këndshëm.
“Unë jam shumë i lumtur që jam këtu sot me ju. E mirëpres krahë hapur çdo aktivitet italian, ky është pushtim shumë i këndshëm. Shpresoj që Vlora do të jetë gjithmon mikëpritse dhe gjërat do të shkojnë gjithmon dhe më mirë” tha Rama.
Kreu i qeverisë pati mundësinë të intervistonte personalisht edhe turisten më interesante, një vajzë të vogël të cilës i kishte lënë shumë mbresa aktiviteti dhe mbi të gjitha, Vlora.
“Vlora na ka dhënë një mikëpritje shumë të bukur janë të gjithë shumë simpatik” tha vajza. E pyetur nga Rama nëse do të rikthehet sërish vitin tjetër, ajo u shpreh “po, do të rikthehem padyshim vitin tjetër”, tha ajo./Katror.info